Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Mos ki frikë nga liria ime

Nga Malvina Tre

Liria është një nga ato fjalë që e përdorim më shumë dhe e kuptojmë më pak.

Unë jam edukuar me liri. Të paktën kështu besoj. Prindërit e mi nuk ma kufizuan mendimin, nuk ma zgjodhën jetën dhe nuk më mësuan t'i bindesha frikës. Por sa herë dola jashtë derës së shtëpisë, kuptova se liria nuk mjafton të ta japë familja. Duhet ta pranojë edhe shoqëria.

Le të themi se jetojmë në një vend të lirë. Se kemi demokraci. Se secili mund të zgjedhë jetën që dëshiron. Por nëse kjo është e vërtetë, pse ende kemi kaq shumë frikë nga zgjedhjet tona?

Ne, gratë shqiptare të lindura në Shqipërinë postkomuniste, jemi brezi i një paradoksi. Nuk kemi jetuar komunizmin, por kemi trashëguar mënyrën se si ai mendonte. Nuk kemi njohur censurën shtetërore, por jemi rritur me censurën e familjes, të lagjes, të "çfarë do të thotë bota".

Kemi lindur në demokraci, por jemi edukuar me refleksin e kontrollit.

Nënat tona nuk kanë faj. Edhe ato ishin bijat e një sistemi ku siguria blihej me bindje. Ku shteti mendonte për ty, vendoste për ty, planifikonte jetën tënde. Liria nuk ishte virtyt; ishte rrezik.

Kur komunizmi u rrëzua, nuk u rrëzua menjëherë edhe mënyra e të menduarit. Institucionet ndryshuan më shpejt se psikologjia njerëzore. Kushtetuta ndryshoi më shpejt se edukata. Ligjet u bënë demokratike, por mendja mbeti për shumë kohë autoritare.

Kjo është trashëgimia më e padukshme që kemi marrë.

Ne nuk kemi mësuar si jetohet në liri.

Sepse liria nuk është vetëm të kesh të drejtën të zgjedhësh. Liria është të mbash përgjegjësi për zgjedhjen tënde. Është të jetosh me pasigurinë që çdo vendim mund të jetë i gabuar.

Kjo është arsyeja pse liria tremb.

Filozofi Erich Fromm shkruante se shumë njerëz nuk i druhen shtypjes aq sa i druhen lirisë. Sepse liria të heq justifikimet. Nuk ke më kujdestar. Nuk ke më udhëzues absolut. Nuk ke më një sistem që vendos për ty. Ke vetëm veten.

Ndoshta kjo është arsyeja pse edhe sot kërkojmë vazhdimisht një autoritet: familjen, partnerin, shtetin, fenë, opinionin publik apo algoritmet e rrjeteve sociale. Dikë që të na thotë çfarë është e drejtë dhe çfarë jo.

Për gratë kjo bëhet edhe më e ndërlikuar.

Sepse liria e një burri shpesh shihet si autonomi, ndërsa liria e një gruaje vazhdon të kalojë në filtrin e moralit. Një burrë që zgjedh është i pavarur. Një grua që zgjedh shpesh duhet të shpjegojë pse zgjodhi!

Pse nuk u martove?
Pse u martove kaq herët?
Pse nuk bëre fëmijë?
Pse bëre vetëm një?
Pse punon kaq shumë?
Pse nuk rri në shtëpi?
Pse udhëton vetëm?
Pse flet kështu?
Pse vishesh ashtu?

Janë pyetje që nuk kërkojnë përgjigje. Janë mekanizma kontrolli. Janë mënyra për t'i kujtuar gruas se edhe pse është ligjërisht e lirë, shoqëria ende pretendon të jetë kujdestarja e saj.

Kështu, pa e kuptuar, ne nuk mësojmë të marrim vendime. Mësojmë të negociojmë me gjykimin.

Nuk pyesim më: "Çfarë dua unë?"

Pyesim: "Çfarë do të mendojnë të tjerët?"

Dhe pikërisht këtu liria fillon të zvogëlohet.

Sepse robëria nuk është gjithmonë një derë e mbyllur. Ndonjëherë është një mendim që nuk guxon ta mendosh. Një jetë që nuk guxon ta jetosh. Një zgjedhje që nuk e bën, jo sepse nuk lejohet, por sepse ke frikë nga çmimi social.

Një nga pasojat më të dhimbshme të mungesës së lirisë është se ajo nuk ndalet te individi, ajo trashëgohet.

Një grua që nuk është edukuar të jetë e lirë, shpesh nuk arrin ta pranojë lirinë e një gruaje tjetër.

Jo domosdoshmërisht nga xhelozia apo ligësia, por sepse liria e tjetrit e detyron të përballet me gjithçka që vetes ia ka mohuar. Prandaj, në vend që ta mbrojë, e gjykon. Në vend që ta inkurajojë, e paralajmëron. Në vend që t'i hapë rrugë, i kujton kufijtë. Kështu, pa e kuptuar, gratë bëhen roje të burgut që dikur i mbante të mbyllura vetë.
Dhe ndoshta kjo është forma më e rafinuar e robërisë: kur zinxhirët nuk mbahen më nga duart e burrave apo të shtetit, por kalojnë nga një grua te tjetra, brez pas brezi, të maskuar si moral, kujdes apo traditë.

Kështu mbase emancipimi nuk fillon kur gruaja fiton të drejta të reja. Mbase fillon kur ajo pushon së kërkuari leje për të qenë vetvetja.

Dhe kjo është beteja e brezit tonë.

Jo të fitojmë lirinë.

Por të mësojmë ta përballojmë atë, me të gjitha pasojat!/dritare.net