Aksident tragjik në Ksamil, humb jetën 22-vjeçari pas përplasjes me skafin e Policisë Kufitare
Dritare.net

Një ngjarje e rëndë është shënuar në ujërat e Gjirit të Ksamilit, ku 22-vjeçari Albiano Kreçi humbi jetën pas një aksidenti me mjet lundrues.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti “Jet Car” që drejtonte i riu u përplas me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Pas përplasjes, 22-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por për shkak të dëmtimeve të marra nuk mundi të mbijetonte.
Mësohet se Albiano Kreçi ishte diagnostikuar që në moshën 15-vjeçare me diabet dhe dy vitet e fundit merrte insulinë. Sipas bluzave të bardha, po verifikohet edhe mundësia që gjendja e tij shëndetësore të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit lundrues.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./L.F-dritare.net