Ministri Salla: Sala: Si mund të përfitojnë fermerët kredi të buta me mbështetje nga shteti
Dritare.net

Në episodin e katërt të ciklit “Gjëja e gjallë të mban gjallë” drejtuar nga gazetarja Rudina Xhunga, Ministri i Bujqësisë Andis Salla bëri të ditur se qeveria shqiptare ka zgjeruar skemën e mbështetjes financiare për fermerët dhe bizneset, duke mundësuar kredi deri në 2 milionë euro me një normë interesi prej vetëm 2%.
Sipas ministrit, marrëveshja është nënshkruar mes qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë, me qëllim lehtësimin e investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Salla theksoi se shteti do të garantojë deri në 70% të kolateralit përmes garancisë sovrane, duke u krijuar fermerëve dhe bizneseve më shumë mundësi për të investuar në sera, linja paketimi dhe projekte të tjera zhvillimi. Ai shtoi se skema, e cila më parë ofronte financim deri në 250 mijë euro, tashmë është zgjeruar deri në 2 milionë euro për t’iu përgjigjur nevojave të investimeve më të mëdha.
“Para pak ditësh nënshkruam marrëveshjen me Kryeministrin, Bankën e Shqipërisë, Guvernatorin dhe bankat e nivelit të dytë për zgjerimin e skemës së financimit të bizneseve. Përmes kësaj nisme, tashmë ofrohen kredi deri në 2 milionë euro me një normë interesi prej vetëm 2%.
Kjo është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për fermerët, por edhe për bizneset e tjera që duan të investojnë dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre. Përmes garancisë sovrane, shteti mbulon deri në 70% të kolateralit, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga vetë biznesi.
Më parë, kufiri i financimit ishte deri në 250 mijë euro, por kërkesa në rritje për investime në sera, linja paketimi dhe industri më të mëdha bëri të nevojshme rritjen e këtij limiti. Tashmë, me kredi deri në 2 milionë euro, bizneset kanë më shumë mundësi për të realizuar projekte të rëndësishme zhvillimi.
Qeveria ka krijuar këtë instrument financiar për t’u lehtësuar aksesin në kredi fermerëve dhe bizneseve përmes bankave të nivelit të dytë, ndërsa garancia shtetërore mbulon deri në 70% të kolateralit. Ftoj të gjithë të interesuarit të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi.”/L.F-dritare.net