
I moshuari mesazh të rinjve me poezinë e Çajupit!
Dritare.net
Fshati Malind i vendosur në Shqipërinë e jugut është një shembull i trishtë i fenomenit të braktisjes së zonave rurale. Ky fshat malor, dikur plot jetë, tani po përballet me sfida të mëdha demografike. Fshati Malind, edhe pse braktisur, ende ruan bukurinë e tij natyrore dhe trashëgiminë kulturore.
Kastriot Bramo, kryeplaku i fshatit tregon me trishtim dhe ndjenjë revolte, braktisjen që i është bërë Malindit, që dikur i kishte të gjitha; shkollë, hotel, shtëpi të mbushura plot me fëmijë dhe të rinj që e donin jetën e fshatit.
“E gjithë infrastruktura e fshatit dikur ishte e përqendruar në qendër, që tani është bosh. Ne i merrnim të gjitha shërbimet e nevojshme, punonin dy doktorë, dy infermierë, mami, dentistë por me ardhjen e demokracisë çdo gjë mori fund. Në fshatin tonë ka pasur edhe hotel. Në vitin 1992 u nda gjithçka pasuria e kooperativës dhe gjithsecili mori pasurinë e tyre, i shiten të gjitha dhe u larguan nga fshati. Kujtoj që shkolla dikur ishte plot me nxënës.
Shkolla jonë ishte model.
Këtu punonin 40 persona në administratë agronomë, ekonomistë, veterinerë, zooteknikë, ishin 8 traktorë që punonin arat. Kujtoj që dikur Malindi arriti të prodhojë 5600 kuintal grurë. Po të kishin mendjen time këto toka do të populloheshin për një ditë. Sot nuk punon njeri, duan të gjithë të pasurohen për një ditë. Kanë punuar të parët që të ushqehemi ne, tani edhe ne duhet të punojmë që t’i trashëgojmë diçka brezit të ri. Malindi njihet për rrushin, kanë qenë gjithmonë kultivues i rrushit. Edhe për blegtori dhe bujqësi por më shumë për vreshtari. Kujtoj që edhe bletaria ishte shumë e zhvilluar por tani nuk merret më askush. Këtu vijnë shumë turistë por largohen sepse nuk kanë ku të rrinë, unë i kam hapur shtëpinë disa herë”, tregon Kastriot Bramo.

















