

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri indian Narendra Modi janë mes njëzet udhëheqësve botërorë që marrin pjesë në samitin vjetor të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), i cili po zhvillohet në qytetin portual kinez të Tianjinit.
Pjesëmarrje e gjerë dhe simbolikë politike
Ky është samiti më i madh që nga themelimi i SCO-së në vitin 2001 nga Kina, Rusia dhe katër vende të Azisë Qendrore. Aktualisht, organizata përfshin 10 shtete anëtare – mes tyre Pakistanin dhe Iranin si dhe 16 partnerë dialogu dhe vëzhgues.
Edhe pse samiti është kryesisht simbolik, ai shërben si një platformë për shprehjen e shqetësimeve të përbashkëta dhe interesave gjeopolitike, sidomos në një kohë tensioni të lartë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Tensionet ndërkombëtare në sfond
Pjesëmarrja e liderëve vjen në një kohë kur SHBA ka vendosur tarifa të larta ndaj mallrave indiane, si përgjigje ndaj vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga ana e Indisë. Nga ana tjetër, Rusia e Putinit përballet me kërcënime të reja për sanksione perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, Modi ka zhvilluar takime me presidentin kinez Xi Jinping – një takim ky i rëndësishëm, pasi është hera e parë që kreu i qeverisë indiane viziton Kinën pas shtatë vitesh.
Tianjini në qendër të vëmendjes
Qyteti portual verior i Tianjinit është transformuar për samitin. Banderola, tabela reklamuese dhe një atmosferë festive kanë pushtuar qytetin, ndërsa mijëra banorë kanë mbushur zonën buzë lumit për të ndjekur spektakle dritash në qiellgërvishtësit e qytetit.
Rrugët kryesore janë tejet të mbushura dhe lëvizja e njerëzve është vështirësuar ndjeshëm, veçanërisht pranë urës historike Jiefang. Për arsye sigurie, qeveria lokale ka pezulluar shërbimet e taksive dhe makinave me qira në qendër të qytetit. Autoritetet kanë këshilluar 13 milionë banorët e Tianjinit të qëndrojnë në shtëpi ose të përdorin dyqanet lokale për nevojat bazë.
Përgatitje për paradën ushtarake
Ky takim zhvillohet vetëm pak ditë përpara një parade masive ushtarake që do të mbahet në Kinë për të përkujtuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një tjetër ngjarje e cila pritet të tërheqë vëmendje ndërkombëtare./E.P-dritare.net

















