
Në Malind, te çezma ku piu ujë Naim Frashëri!
Dritare.net
Kamera e Dritare TV kësaj radhe ka shkuar në fshatin Malind në rrethin e Skraparit. Aty ku shtëpitë e vjetra me mure të plasaritura qëndrojnë si kujtime të një kohe që vështirë të kthehet sërish.
Kështu shprehet Kastriot Bramo, banor dhe kryeplak i fshatit Malind teksa tregon se dikur ky fshat ishte i gjallë dhe kishte çdo gjë.
“E gjithë infrastruktura e fshatit dikur ishte e përqendruar në qendër, që tani është bosh. Ne i merrnim të gjitha shërbimet e nevojshme, punonin dy doktorë, dy infermierë, mami, dentistë por me ardhjen e demokracisë çdo gjë mori fund. Në fshatin tonë ka pasur edhe hotel. Në vitin 1992 u nda gjithçka pasuria e kooperativës dhe gjithsecili mori pasurinë e tyre, i shiten të gjitha dhe u larguan nga fshati. Kujtoj që shkolla dikur ishte plot me nxënës. Shkolla jonë ishte model.”- Kastriot Bramo.
Për këtë 70-vjeçar, Malindi nuk meriton të braktiset, pasi nëse punohet toka e fshatit ofron prodhime dhe të ardhura të mira.
“Këtu punonin 40 persona në administratë agronomë, ekonomistë, veterinerë, zooteknikë, ishin 8 traktorë që punonin arat. Kujtoj që dikur Malindi arriti të prodhojë 5600 kuintal grurë.
Po të kishin mendjen time këto toka do të populloheshin për një ditë. Sot nuk punon njeri, duan të gjithë të pasurohen për një ditë. Kanë punuar të parët që të ushqehemi ne, tani edhe ne duhet të punojmë që t’i trashëgojmë diçka brezit të ri.”
Çezma e fshatit besohet të jetë arsyeja e krijimit të Malindit. Kastrioti tregon me krenari që në atë çezmë ka pirë ujë Naim Frashëri.
“Kjo çezmë e ka bërë këtë fshat, sepse dikur njerëzit shkonin aty ku kishte ujë. Të moshuarit tregojnë që i gjithë fshati që dikur kishte 48 familje u krijua nga ky burim uji. Në këtë çezmë ka pir ujë Naim Frashëri”, tregon Kastriot Bramo.
Malindin e vizitojnë edhe turistët por largohen pasi ky fshat nuk siguron një vend për të qëndruar.
“Malindi njihet për rrushin, kanë qenë gjithmonë kultivues i rrushit. Edhe për blegtori dhe bujqësi por më shumë për vreshtari. Kujtoj që edhe bletaria ishte shumë e zhvilluar por tani nuk merret më askush.
Këtu vijnë shumë turistë por largohen sepse nuk kanë ku të rrijnë, unë i kam hapur shtëpinë disa herë, kënaqen kur konsumojnë dhallë. Më shumë vinë turistë kryesisht polakë.”
Kastrioti i lidhur ngushtë me vendlindjen e tij, nuk e ka humbur kurrë shpresën se jeta në Malindi do të rigjallërohet.
Teksa shpreson që dikush t’i kthejë sytë nga fshati, Kastrioti na përcjell me vargjet e Çajupit.
“Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka, ku kam dashur mëm’e atë, ku më njeh dhe gur’ i thatë", tha zoti Kastriot për gazetaren Marina Kërçeli/E.P/dritare.net

















