Magjia e Tamarës këtë vjeshtë! Ja çfarë të pret!
Dritare.net
Vjeshta është sezoni ideal për të vizituar malet. Të saturuar me det dhe diell dhe në prag të një dimri që i vështirëson inkursionet në zonën e malësisë, kjo është periudha më e mirë për të eksploruar veriun e Shqipërisë.
Këtu natyrisht nuk futet Lezha e cila është bërë një pikë referimi për agroturizmet, restorantet dhe hotelet e saj, por ca më thellë.
Një cep i pazbulur i Shqipërisë mbetet Malësia e Madhe. Pasi kalon Shkodrën dhe Koplikun dhe i afrohesh pikës doganore të Hanit të Hotit, bash në ekstrem të kufirit shqiptar, një kthesë djathtas të fut poshte një nënkalimi hekurudhor dhe rruga të shpalos një hapësirë tjetër ku në sfond janë alpet e ashpra shqiptare. Karakoll si për të treguar se po hyn në një nga zonat më katolike të hinterlandit shqiptar, është kisha katolike e sistemuar dhe e pastër me në krah varrezat dhe trotuarët ku edhe ndriçuesit janë stilizuar në formën e kryqit. Të duket vetja më shumë në një fshat malor gjerman, nisur kjo edhe nga përfytyrimi arkaik që kemi për zonat malore si të pagrumbulluara. Kisha është tokë e dhuruar nga pasardhësit e të famshmit Çun Mula, bajraktar i Hotit, i pari bajrak ndër shtatë që ka Malësi e Madhe.
Në hyrje të ngjitjes për në Leqet e Hotit, ku makina më shumë është një dron që ngjitet nga lartësia 10 m mbi nivelin e detit që është Liqeni i Shkodrës, në 750 metra të Leqeve për të rënë rrufeshëm mëpërmjet një rruge që të kujton mbikalimin e San Gotardit në Zvicër, në Tamarë e pastaj në Luginën e Cemit, të pret një kryq i gdhendur në faqen e malit, si për të thënë se këtu nuk negociohet me fenë e të parëve.
Deri sa të mbërish në Tamarë, do kalosh edhe Rapshin. Shtëpitë një ose dy-katëshe me oborre të mbjella me lule dhe pemë, rrethimet me mure të ulëta prej guri të thatë, me sfond male të thikëta, janë një çlodhje për syrin.
I gjithë ky udhëtim, nëpër rrugën që të çon në Tamarë e më pas në Lëpushë e Vermosh, nuk duhet të trembë njeri pasi është e re dhe brenda standarteve. Gjarpërimet e Leqeve të Hotit janë më të sigurta se ato të Llogarasë dhe në gjithë gjatësinë e saj 70 kilometra nga Kopliku në Vermosh ka guardraile. E vetmja bezdi është te presioni me veshë pasi disa herë do të duhet të ngjitesh dhe zbresësh në lartësi që i kalojmë qindrametrat. Tjetra është kënaqësi.
Kënaqësia e parë për ata që duan artin kulinar është Tamara krentësisht e rikonstruktuar me rrugë të shtruara me gurë dhe shtëpi e lokale prej guri, të bëra nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kuzhina vendase ka ditur të kapërcejë dekadat. Byrekë nga ata me djathë e deri me kunguj, perimet e marinuara, djathërat e shumëllojshme ku djathi i zier që shoqërohej me mjaltë bjeshkësh është risi e pagjetshme tjetërkund, e deri te mishi i skarës ku viçat nuk e sigurojnë ushqimin në stallë, janë surpriza që më befasoi “Tek Cemi”, lokali i ndërtuar bash mbi lumë, pjesë e qendrës së Tamarës. Nga ballkoni i lokalit, i zoti më tregon kreshtën e malit që të dukej se do ta kapje me dorë. Në krahun tjetër është vazhdimi i krahinës tonë, më thotë, Plava, Gucia, Vuthaj, që na i ka marrë Mali i Zi para një shekulli e ca. Malësorët shquhen për kujtesën e gjatë. Në fillim, tregon Lindita, pronarja dhe shpirti afarist i lokalit ku bujtëm, ne i mirëprisnim turistët apo kureshtarët që eksploronin zonën, boll të na trokisnin te dera, dhe ata kishin shtëpinë e hapur për të ngrënë dhe fjetur, pavarësisht fukarallëkut të kohës. Ishte tradita jonë për mikun. Më vonë filluam me bujtina. Çmimet ende janë simbolike për ato çfarë ofrojmë. Por edhe ne duhet që të mësohemi me shpirtin e biznesit.
Krahina këtej kreshte ashtu sikurse ajo matanë ka pësuar një emigracion të krahasuar me zbrazjen. Destinacioni i tyre është kryesisht Amerika. Por lidhjet nuk i humbasin. Me bërjen e rrugës në vitet e fundit, shumë prej tyre kanë rindërtuar shtëpitë dhe hapur bujtina dhe lokale që menaxhohen nga ata që kanë mbetur. Turizmi ka filluar rigjallëron zonën dhe krahas tyre edhe pagesat. Një kamerier apo ndihmëskuzhinier merr 50-60 mijë lekë në muaj. Bagëtitë kane një treg të brendshëm dhe po ashtu edhe bulmeti. Por më shumë sesa agjensitë shtetërore për ndihmë të biznesit, ata kanë ndjerë dorën e fondacioneve italiane.
Pas Tamarës vazhdon rruga për Lëpushë. Rrugës kryqëzohesh me makina me targa malazeze që e kanë më kollaj të shkojnë në aeroportin e Podgoricës duke kaluar nëpër Shqipëri. Të tjerët janë motoristë çek, sllovak, polakë dhe kamperista hollandëzë dhe gjermanë.
Emigracioni ka bërë të vetën dhe njerëzit janë të rrallë. Por kjo ka sjellë eshe kulturën e grumbullimit të banesave, stilin e ndërtimit, kulturën e jetesës dhe kuzhinës dhe pastërtisë. Por ajo që nuk mungon ashtu si dikur, është vështrimi i vendasve që të përshendesin edhe pa të njohur me fjalët aq miqësore “a je lodhë?” apo “a ke mujtë?”.
Në Lëpushë ende janë një grup vilash që nuk janë vënë në funksionim. Pronari i tyre e ka marrë me nge. Por Duni, një nga burrneshat e fundit të zonës kishte hapur bujtinë dhe dyqan ku mund të bleje edhe prodhime të zonës, mes tyre të famshmen “gentiana”, që rritet vetëm në këto lartësi dhe ka marrë emrin e mbretit ilir që e zbuloi i pari.
Rruga e kthimit është edhe më e lehtë, si çdo rrugë kthimi kur në vajtje e ke për herë të parë. Nëse nisesh nga Tirana në ditë jave, nuk bën më shumë se tre orë, dhe je në një botë dhe ajër tjetër. Malësia e Madhe me fshatrat e saj është një mikrozonë shqiptare që ja vlen të zbulohet. Nëse të ka rënduar ushqimi por do të kthehesh brenda ditës, pi një gotë me lëngun e kumbullës së zonës dhe bëhesh menjëherë firë. Në të kundërt fli aty dhe shijo mëngjesin me petulla dhe djathë dhie ose mjaltë bjeshke e reçel borinice. Nuk i gjen gjithkund. E për më tepër kjo zonë duke qenë ende me një turizëm të paindustrializuar, ta ofron gjthçka bio./ dritare.net