
Shmangu avionin se ia rekomandoi mjeku, por humbi jetën në rrugë. Fundi tragjik i Diogo Jotës
Dritare.net
Futbollisti i Liverpoolit dhe kombëtares portugeze, Diogo Jota, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident automobilistik, ndërsa ishte rrugës për të kapur një traget, një udhëtim që e kishte zgjedhur pas një rekomandimi mjekësor për të mos udhëtuar me avion.
Sipas mediave ndërkombëtare, Jota ndodhej në automjetin e tij luksoz së bashku me vëllanë, kur makina humbi kontrollin dhe doli nga rruga në provincën e Zamoras, në Spanjë. Të dy vdiqën në vend si pasojë e plagëve të marra dhe shpërthimit të mjetit pas aksidentit. Autoritetet spanjolle konfirmuan se një nga gomat e makinës kishte plasur gjatë një manovre parakalimi, çka çoi në tragjedinë fatale.
Vetë zgjedhja për të udhëtuar me traget kishte ardhur pas këshillës së mjekëve që i kishin ndaluar fluturimin për shkak të një ndërhyrjeje të fundit në mushkëri. Jota kishte vendosur të ndjekë një rrugë më të sigurt për shëndetin e tij, por fati tragjik e priti rrugës.
Klubi i Liverpoolit dhe Federata Portugeze e Futbollit kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e një prej lojtarëve më të dashur dhe punëtorë. Flamujt janë ulur në gjysmë shtize dhe janë shpallur homazhe në ndeshjet e ardhshme. Miliona tifozë në mbarë botën po ndajnë dhimbjen për këtë humbje të parakohshme.
Diogo Jota lë pas bashkëshorten Rute dhe tre fëmijë të vegjël. Ai ishte vetëm 28 vjeç.
Një yll që u fik shumë herët./K.C/dritare.net

















