
Temperaturat e larta jo vetëm që ndikojnë në trupin tonë fizikisht, por kanë edhe një efekt të thellë në psikologjinë dhe sjelljen njerëzore. Sipas një serie studimesh të realizuara kohët e fundit nga shkencëtarë të fushës së psikologjisë dhe neuroshkencave, nxehtësia ekstreme mund të ndikojë ndjeshëm në humorin, përqendrimin dhe mënyrën se si marrim vendime.
Një studim i publikuar në revistën Nature Human Behaviour tregon se gjatë periudhave të temperaturave të larta, njerëzit janë më të prirur të ndjehen të irrituar, nervozë dhe të stresuar. Kjo ndodh për shkak të efektit të temperaturës në sistemin nervor qendror dhe mënyrën se si trupi përpiqet të mbajë balancën e brendshme (homeostazën). Nxehtësia rrit rrahjet e zemrës dhe ndryshon nivelet e hormoneve të stresit, si kortizoli, që ndikojnë drejtpërdrejt në emocionet tona.
Për më tepër, studime të tjera kanë treguar se ekspozimi i zgjatur ndaj nxehtësisë mund të ulë kapacitetin për të bërë vendime të arsyeshme dhe përqendrimin. Kjo ndodh sepse truri harxhon më shumë energji për të rregulluar temperaturën e trupit dhe kështu ka më pak burime për proceset mendore komplekse.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se nxehtësia mund të rrisë agresivitetin dhe sjelljet konfliktuale, duke ndikuar kështu edhe në marrëdhëniet ndërpersonale. Kjo është një arsye pse në disa vende, periudhat e nxehta shoqërohen me rritje të incidenteve kriminale dhe dhunës.
Ekspertët këshillojnë që gjatë valëve të nxehtësisë të bëhet më shumë kujdes për shëndetin mendor, duke përdorur metoda relaksimi, qëndrime në ambiente të freskëta dhe hidratuar mirë trupin. Gjithashtu, ata sugjerojnë që institucionet dhe komunitetet të ndërmarrin masa parandaluese për të mbrojtur grupet më të ndjeshëm, si të moshuarit dhe fëmijët.
Në një kohë kur ndryshimet klimatike po sjellin temperatura më të larta dhe periudha më të gjata nxehtësie, njohja e ndikimit të tyre në psikologjinë tonë është më e rëndësishme se kurrë./K.C/dritare.net

















