Berisha: Thirrjet kundër meje në protestë janë zërat e qeverisë
Dritare.net

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se thirrjet e drejtuara kundër tij gjatë protestës së 4 korrikut janë, sipas tij, veprim i asaj që e cilësoi si "opozita e rreme".
Pas paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë "detyrim paraqitjeje" në kuadër të çështjes "Partizani", Berisha u pyet nga gazetarët për protestën dhe reagimet ndaj tij.
Ai u shpreh se personat që kërkuan largimin e tij nga drejtimi i Partisë Demokratike veprojnë, sipas tij, në interes të qeverisë.
"Janë disa klithma të opozitës së opozitës, vegël e mirëfilltë e qeverisë, e cila mendon se nuk mund të rritet si opozitë me praninë e Berishës. Prandaj ata shfrytëzojnë këtë protestë për një parullë të tillë. Por kjo nuk e pengon Berishën dhe PD-në për të mbështetur fuqishëm protestën. Është veprim gueril i atyre që operojnë për llogari të Ramës", deklaroi Berisha.
Lidhur me pretendimet se Partia Demokratike ka tentuar të përfshihet ose të ndikojë në organizimin e protestës, Berisha i mohoi këto akuza.
Ai tha se PD-ja mbështet kërkesat e protestuesve, por nuk ka ndërhyrë në organizimin e tubimit.
"Qëndrimi ynë ka qenë që në fillim. Asnjë ndërhyrje në punët e saj, nuk është protesta jonë. Bazuar në gjashtë kërkesat e tyre, PD mbështet me të gjitha mundësitë protestën, jashtë çdo konotacioni apo simboli partiak, thjesht në frymën qytetare. As kemi tentuar, as nuk tentojmë dhe as nuk dëshirojmë ta kapim protestën", u shpreh Berisha./l.F-dritare.net