Na ndiqni edhe në

Opinione

Gjermania shtrëngon rubinetin: Përgjysmimi i kuotës së Ballkanit Perëndimor pritet të ashpërsojë garën për një vend pune

Nga Vasil Merko-Gjermani

Një zhvillim jo i mirë vjen nga Gjermania dhe këtë herë nuk lidhet vetëm me gjendjen shtrënguese dhe trysnisë me të cilën po përballet ekonomia më e fuqishme e Europës por edhe me nje rrjedhojë të saj që prek edhe emigracionin shqiptar në vend. Qeveria federale gjermane ka vendosur t'i rikthehet kuotës prej 25.000 lejesh pune në vit në kuadër të Rregullores së Ballkanit Perëndimor (Westbalkanregelung) , duke përgjysmuar numrin e vendeve që deri tani ishte rritur në 50.000.

Vendimi shënon një kthim në nivelin që ishte në fuqi përpara zgjerimit të vitit 2024 dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Për mijëra qytetarë të Ballkanit Perëndimor, kjo rrugë ka qenë prej vitesh mënyra më e sigurt dhe më ligjore për të hyrë në tregun gjerman të punës, edhe pa pasur një diplomë të njohur profesionalisht në Gjermani. Mjafton një kontratë pune dhe miratimi i Agjencisë Federale të Punës (Bundesagentur für Arbeit).

Nuk ndryshojnë kushtet, por ndryshon konkurrenca

Nga informacionet e deritanishme nuk parashikohen ndryshime në kriteret bazë të aplikimit. Megjithatë, ndryshimi më i madh do të jetë konkurrenca shumë më e fortë për të zënë një vend brenda kuotës së re. Me vetëm 25.000 vende për gjashtë shtete, mundësitë do të tkurren ndjeshëm. Nëse kuota do të ndahej teorikisht në mënyrë të barabartë, secilit shtet do t'i takonin rreth 4.100 vende , megjithëse në praktikë nuk ekziston një ndarje sipas shteteve dhe përzgjedhja bëhet sipas rendit të procedurave dhe miratimeve. Pikërisht kjo e bën garën edhe më të fortë.

Përvoja e viteve të fundit

Praktika ka treguar se interesi ka qenë shumë më i madh sesa kapacitetet e sistemit. Në shumë raste, gjatë vjeshtës – shpesh që në muajin tetor ose në fund të vitit – kuota ishte praktikisht e konsumuar. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm aplikimesh që nuk kishin marrë ende vendim nuk procedoheshin më tej dhe aplikantët detyroheshin ta fillonin procedurën nga e para në vitin pasardhës. Edhe Agjencia Federale e Punës ka konfirmuar se në fund të vitit 2025 rreth 18.000 kërkesa nuk u miratuan, sepse kuota vjetore ishte shteruar. Për këtë arsye, me përgjysmimin e kuotës, rreziku që një situatë e tillë të përsëritet bëhet edhe më i madh.

Pse po merret ky vendim?

Vendimi është pjesë e kursit më kufizues të politikës migratore të koalicionit të ri qeverisës në Gjermani. Në argumentimin politik theksohet se duhet të kufizohet migracioni për punë jo të kualifikuar dhe të shfrytëzohet më mirë potenciali i personave që ndodhen tashmë në Gjermani. Qeveria argumenton se shumë vende pune mund të plotësohen nga qytetarë gjermanë, shtetas të vendeve të Bashkimit Europian ose shtetas të vendeve të treta që tashmë jetojnë në Gjermani dhe janë të papunë. Në të njëjtën kohë, vendimi shihet edhe si përgjigje ndaj presionit politik dhe shoqëror për një politikë më të rreptë migracioni.

Jo çdo miratim përfundon me vizë Megjithëse kuota ishte rritur në 50.000, kjo nuk do të thoshte se çdo vit hynin realisht 50.000 punëtorë. Në praktikë, një pjesë e konsiderueshme e procedurave nuk arrinin deri në fund. Shumë kërkesa refuzoheshin gjatë shqyrtimit nga Agjencia Federale e Punës, ndërsa në raste të tjera aplikantët nuk arrinin të përfundonin procedurat ose nuk përdornin vizën e lëshuar. Kjo ka bërë që numri real i personave që kanë ardhur në Gjermani përmes kësaj rruge të jetë më i ulët se tavani maksimal i kuotës.

Një rrugë që mbetet e rëndësishme

Pavarësisht përgjysmimit të kuotës, Rregullorja e Ballkanit Perëndimor mbetet një nga instrumentet më të rëndësishme për migrimin e ligjshëm drejt Gjermanisë. Ajo u krijua për të ofruar një alternativë të ligjshme ndaj migracionit të parregullt dhe për t'u dhënë mundësi qytetarëve të rajonit të punojnë me kontratë të rregullt, të paguajnë kontribute dhe të integrohen në shoqërinë gjermane. Në të njëjtën kohë, ekonomia gjermane vazhdon të përballet me mungesë të fuqisë punëtore në sektorë si ndërtimi, gastronomia, kujdesi për të moshuarit, logjistika dhe industria, çka bën që debati mbi nevojën për punëtorë të huaj të mbetet ende i hapur. Për qytetarët shqiptarë dhe të gjithë rajonit, mesazhi është i qartë: kush siguron një kontratë pune dhe nis procedurat sa më herët, do të ketë shanse dukshëm më të mira për të hyrë brenda kuotës së re prej 25.000 vendesh.

Thekson që për miratimet e deritanishme dhe për të gjithë ata që kanë hyrë tanimë me këtë kategori vizash në Gjermani, si dhe për bashkimin familjar, nuk do të ketë ndikime negative./dritare.net