Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Blendi Gonxhja: Koncerti i Kanye West në Tiranë është investim për turizmin dhe ekonominë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se koncerti i artistit Kanye West, që do të mbahet më 11 korrik në Eagle Stadium në Tiranë, përfaqëson një mundësi të rëndësishme për ekonominë, turizmin dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Sipas ministrit, përvoja e qyteteve si Los Angeles, Stambolli dhe Madridi tregon se përfitimet nga evente të tilla shkojnë shumë përtej të ardhurave nga biletat, pasi gjenerojnë fitime për hotelerinë, transportin, restorantet dhe bizneset lokale, si edhe krijojnë vende pune.

Ministri theksoi se në organizimin e koncertit në Tiranë janë angazhuar rreth 3,500 punonjës, ndërsa hotelet dhe apartamentet e kryeqytetit janë pothuajse të rezervuara plotësisht një ditë para eventit.

Gonxhja sqaroi gjithashtu se ndërtimi i strukturës provizore Eagle Stadium ka kushtuar rreth 2.2 milionë euro, duke hedhur poshtë pretendimet se kostoja arrin në 50 apo 60 milionë euro. Ai shtoi se fondi i dhënë nga qeveria është financuar nga programi i turizmit dhe nga Fondi Rezervë, pa prekur fondet e artit, kulturës apo sportit.

Sipas ministrit, anulimi i koncertit në këtë fazë do të sillte rreth 11 milionë euro dëme të pakthyeshme, si dhe pasoja për reputacionin e Shqipërisë si destinacion për organizimin e eventeve ndërkombëtare.

Në përfundim, Gonxhja u shpreh se suksesi i një eventi të tillë nuk duhet parë si fitore politike, por si një mundësi për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në hartën evropiane të eventeve të mëdha dhe për të rritur përfitimet afatgjata për ekonominë dhe turizmin./L.F-dritare.net