Përjashtohet nga Policia oficeri i përfshirë në rastin e dhunimit të 17-vjeçares
Dritare.net
Një zhvillim i ri ka dalë në dritë lidhur me rastin tronditës të dhunimit të një 17-vjeçareje në Fier, e cila u rrah dhe u filmua nga tri vajza. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se nga hetimet ka rezultuar i përfshirë edhe një oficer policie, ndaj të cilit fillimisht u mor masa e pezullimit nga detyra, ndërsa sot është vendosur përjashtimi i tij nga Policia e Shtetit për shkelje të rënda të standardeve të institucionit.
“Video që është transmetuar në rrjetet sociale dhe platformat e tjera është një video e rëndë ku shihen disa të mitura që kryenin veprime të dhunshme ndaj një personi tjetër. Policia ka kryer veprime proceduriale dhe janë dorëzuar materialet në Prokurori. Më pas nga hetimet rezultoi se njëra nga vajzat ka pasur rast të përsëritur dhune dhe është arrestuar ditët në vijim. Por hetimi nuk ka përfunduar këtu.
Nga hetimi ka rezultuar i përfshirë edhe një punonjës policie më vonë, për të cilin kemi marrë masën e pezullimit nga detyra dhe sot masën e përjashtimit për oficerin e policisë të përfshirë në veprime të pahijshme për një punonjës policie. Hetimet vazhdojnë dhe ne do marrim gjithë masat e nevojshme.
Oficeri i Policisë i përfshirë në ngjarjen e Fierit, nuk është se është evidentuar që ka nxjerrë videon apo e ka bërë publike për median, por pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardit dhe cënimit të rëndë të figurës që i ka bërë punonjësit të Policisë në krye të detyrës, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer këtë veprim të kundra-ligjshëm ndaj të miturës tjetër”, deklaroi Hita./dritare.net