Vritet me armë zjarri 40-vjeçari në Laç, hetohen pistat e konfliktit të mundshëm
Dritare.net

Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar mbrëmjen e së enjtes në lagjen “Erdogan” në Laç, ku ka mbetur i vrarë 40-vjeçari Ilir Gjini.
Viktima, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, është qëlluar me shtatë plumba. Dyshohet se autorët kanë hapur zjarr menjëherë pasi ai kishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte.
Edhe pse 40-vjeçari ka tentuar të largohet për t’i shpëtuar atentatit, autorët e kanë ndjekur dhe e kanë qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës. Si pasojë e plagëve të marra, ai ndërroi jetë gjatë transportimit drejt spitalit.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie ngritën pika kontrolli në zonë dhe nisën hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në kuadër të veprimeve hetimore, disa persona janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e dinamikës së ngjarjes, ndërsa një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhet me të kaluarën e viktimës dhe konfliktet e mundshme që ai mund të ketë pasur. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë./L.F-dritare.net