Na ndiqni edhe në

Bota

Analiza/ Marrëdhënia e dobët Francë-Gjermani, ja pasojat për Evropën!

Analiza/ Marrëdhënia e dobët Francë-Gjermani, ja pasojat

Marrëdhëniet e dobëta midis Francës dhe Gjermanisë po ngadalësojnë vendimet kryesore në BE, duke përfshirë marrëveshjet për mbrojtjen në Ukrainë dhe tregtinë, ka pohuar një eurodeputet, citon The Guardian.

David McAllister, kryetar i komitetit të punëve të jashtme të Parlamentit Evropian dhe një figurë kyçe në partinë opozitare Demokristiane, ka shprehur shqetësim se mungesa e kontaktit midis kancelarit, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron po shkakton vonesa në vendimet kryesore për tanket e betejës dhe avionët luftarakë dhe një marrëveshje tregtare me Amerikën Latine.

“Për momentin ne po shohim një mungesë të jashtëzakonshme të koordinimit të brendshëm midis Parisit dhe Berlinit. Dhe kjo nuk është mirë”, tha McAllister.

Ai tha se marrëdhënia franko-gjermane, e konsideruar prej kohësh forca lëvizëse e BE-së nuk ishte gjithçka në Evropë, por se pa bashkëpunimin midis dy vendeve gjërat nuk funksionojnë.

“Në fund, Parisi dhe Berlini duhet të bien dakord për të qetësuar gjërat dhe këtu kritikoj qeverinë gjermane. Nuk mendoj se kemi parë një bashkëpunim kaq të vogël mes Parisit dhe Berlinit siç po e shohim për momentin”, shtoi ai.

Angela Merkel krijoi një marrëdhënie të ngushtë gjatë 16 viteve me katër presidentë francezë, duke fituar njohjen e saj si udhëheqësja defaktore e BE-së.

Ekspertët pajtohen se bllokut i mungon tani ajo marrëdhënie e fortë pune.

Një nga shembujt më të spikatur, tha McAllister ishte lufta për të marrë vendime për tankun e betejës evropiane të gjeneratës së ardhshme, një pjesë integrale e sistemit kryesor luftarak në Ukrainë ose çdo zonë tjetër lufte të ardhshme. Muajin e kaluar Parisi dhe Berlini premtuan të bënin përparim deri në fund të vitit pas një takimi midis ministrit francez të forcave të armatosura, Sebastien Lecornu dhe homologut të tij gjerman, Boris Pistorius por disa mendojnë se nevojitet më shumë për të përshpejtuar vendimet. Partia e qendrës së djathtë e McAllister, e cila drejtohej nga Merkel i ka kaluar dy vitet e fundit në opozitë me koalicionin e udhëhequr nga socialdemokratët e qendrës së majtë të Scholz, të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë neoliberalë.

“Kushdo që ka ndjekur marrëdhëniet gjermano-franceze gjatë dekadave të fundit do të pajtohet ne nuk po ecim përpara në zhvillimin e tankeve evropiane të betejës”, tha McAllister në një intervistë.

Por ai tha se ky ishte vetëm një shembull i dobësisë në marrëdhënie.

McAllister citon një fjalim të gushtit në Pragë të mbajtur nga lideri gjerman si një reflektim i mungesës së lidhjes në zemër të Evropës.

“A mund ta imagjinoni: ai foli për 45 minuta për të ardhmen e Evropës – veçanërisht mbrojtjen dhe sigurinë dhe nuk e përmendi Francën? Dua të them, me kë do ta organizoni mbrojtjen dhe sigurinë tuaj evropiane nëse jo me Francën? Franca është forca kryesore ushtarake në Evropë”, tha McAllister.

Pikëpamja ndahet në Francë, Georgina Wright, drejtore e programit të Evropës në institutin Montaigne në Paris, tha:

“Pikëpamja ime është, po, marrëdhëniet janë të tensionuara. Po, ka çështje kyçe që ata duhet t'i kapërcejnë, bazuar në mosmarrëveshjet dhe qasjen aktuale të politikave. Por nuk duhet ta ekzagjerojmë shumë”.

“Ne jemi në një periudhë mosbesim por nuk lidhet me atë që ndodhi midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës në 2017 dhe 2018 për sa i përket armiqësisë. Në të njëjtën kohë, duhet të mbani mend se marrëdhënia franko-gjermane është shumë më e rëndësishme se marrëdhënia Francë-MB”, tha ajo./M.K-dritare.net