Na ndiqni edhe në

Bota

IDF: Shkatërruam kapacitetet bërthamore dhe balistike të Iranit



IDF: Shkatërruam kapacitetet bërthamore dhe balistike të Iranit

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan sot se kanë ndërmarrë një goditje të fuqishme dhe të synuar ndaj objektivave strategjike të Iranit, përfshirë kapacitetet bërthamore, raketore dhe komanduese të këtij shteti. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i IDF-së, Effie Defrin, gjatë një konference të shkurtër për shtyp të mbajtur këtë mëngjes.

“Kemi goditur thellë, duke shkatërruar kapacitetet bërthamore, balistike dhe komanduese të Iranit,” u shpreh Defrin.

Sipas tij, gjatë operacioneve të fundit, Izraeli ka vrarë edhe një figurë kyçe të sigurisë iraniane, Ali Shadmani, i cili mbante postin e shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë iraniane gjatë kohës së luftës. Shadmani kishte marrë këtë detyrë vetëm katër ditë më parë, pas vrasjes së paraardhësit të tij, Gholamali Rashid, gjithashtu në një sulm izraelit javën e kaluar.

“IDF eliminoi Ali Shadmanin, shefin e ri të shtabit të përgjithshëm të regjimit iranian. Ai e mbajti këtë rol për vetëm katër ditë, përpara se të kishte të njëjtin fat si paraardhësi i tij,” shtoi zëdhënësi izraelit.

Gjatë deklaratës, Defrin theksoi se edhe pse Izraeli po përqendron forcat për të neutralizuar kërcënimin nga Irani, lufta e vendit kundër përfaqësuesve rajonalë të Teheranit vazhdon, veçanërisht në Rripin e Gazës kundër Hamasit.

“Ndërsa po punojmë për të eliminuar kërcënimet nga Irani, jemi ende në luftë me përfaqësuesin e tyre, Hamasin, në Gaza,” deklaroi ai.

Ai shtoi se Hamasi vazhdon të mbajë 53 pengje izraelite në kushte që i cilësoi si “çnjerëzore dhe brutale”, duke theksuar se kthimi i tyre mbetet prioritet kombëtar për qeverinë dhe ushtrinë izraelite.

“Nuk do të ndalemi derisa ata të kthehen në shtëpi,” përfundoi Defrin.

Deklarata e IDF-së vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje, me përplasje të vazhdueshme në Gaza, ndërsa rreziku për një përshkallëzim më të gjerë rajonal mbetet i lartë./K.C/dritare.net