
Presidenti iranian: Nuk duam ta zgjerojmë luftën me Izraelin
Dritare.net
Presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi të hënën se vendi i tij nuk kërkon ta “zgjerojë rrethin e luftës” me Izraelin, por paralajmëroi se do të përgjigjet në mënyrë “proporcionale” ndaj çdo sulmi.
Deklaratat e Pezeshkian u bënë gjatë një bisede telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Iranit. Gjatë bisedës, ai akuzoi Izraelin për “agresion” që ka shkaktuar viktima mes civilëve, shkencëtarëve dhe drejtuesve ushtarakë në Iran.
“Irani nuk e ka nisur këtë luftë, por do të përgjigjet në përpjesëtim me nivelin e sulmit,” tha Pezeshkian.
Ai shtoi gjithashtu se përfshirja e Iranit në bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara “varet vetëm nga ndalimi i sulmeve të regjimit sionist ndaj vendeve të rajonit.”
Nga ana tjetër, presidenti turk Erdogan i tha homologut iranian se Turqia është e gatshme “të luajë një rol lehtësues për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe për të mbështetur rikthimin e negociatave bërthamore”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Turqisë.
Deklaratat vijnë në një kohë të rritjes së tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, me komunitetin ndërkombëtar që bën thirrje për përmbajtje dhe diplomaci për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon./K.C/dritare.net

















