
Irani godet zemrën e inteligjencës izraelite në Tel Aviv!
Dritare.net
Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë të re dhe të rrezikshme pas një sulmi të drejtpërdrejtë nga ushtria iraniane ndaj një qendre të inteligjencës ushtarake izraelite në zemër të Tel Avivit. Lajmi është bërë i ditur nga burime të afërta me strukturat ushtarake në rajon dhe ka nisur të qarkullojë me shpejtësi në mediat ndërkombëtare.
Sipas raportimeve paraprake, sulmi është kryer me raketa me rreze të mesme veprimi, të cilat kanë goditur objektivin me saktësi të lartë. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga autoritetet izraelite, por dëshmitarë në vendngjarje raportojnë për shpërthime të fuqishme dhe prani të shtuar të forcave të emergjencës dhe ushtrisë në zonën e goditur.
Qendra e synuar besohet të jetë një strukturë e rëndësishme e shërbimeve izraelite të inteligjencës ushtarake, e përdorur për mbledhje dhe analizë informacioni strategjik.
Ky veprim përfaqëson një përshkallëzim të madh në përplasjen mes Iranit dhe Izraelit, e cila kohët e fundit ka qenë në rritje për shkak të përfshirjes indirekte të të dy palëve në disa konflikte rajonale, përfshirë edhe luftën në Gazë.
Sulmi gjithashtu vjen në një moment kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA “ka kontroll të plotë të hapësirës ajrore mbi Iranin” dhe ka kërcënuar publikisht liderin suprem iranian, duke deklaruar se ai është një objektiv i lehtë, por “nuk do të eliminohet, të paktën jo për tani”.
Analistët paralajmërojnë se situata mund të dalë jashtë kontrollit nëse Izraeli vendos të kundërpërgjigjet me forcë të plotë. Komuniteti ndërkombëtar ka nisur thirrjet për përmbajtje, por me tensionet që sa vijnë e rriten, rreziku i një konflikti të përgjithshëm rajonal është real dhe i afërt./K.C/dritare.net

















