Starmer takim me Zelensky-n në Downing Street: Ne qëndrojmë krah Ukrainës!
Dritare.net

Kryeministri britanik Keir Starmer ka pritur sot në Downing Street presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, në një takim të nivelit të lartë që u fokusua te mbështetja për Ukrainën dhe ecuria e negociatave për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia.
Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar “qëndron krah Ukrainës”, teksa prezantoi “parimet” që sipas tij duhet të udhëheqin çdo proces negociator.
“Nëse do të ketë një armëpushim, ai duhet të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm. Është thelbësore të nënvizojmë se çështjet që lidhen me Ukrainën janë në duart e Ukrainës. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur si në konflikt, ashtu edhe në negociata,” tha ai.

Zelensky theksoi se uniteti mes Evropës, Ukrainës dhe SHBA-së është vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
“Ka gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa amerikanët, dhe gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa Evropën. Prandaj duhet të marrim disa vendime të rëndësishme,” u shpreh ai.
Presidenti francez Emmanuel Macron u shfaq optimist lidhur me situatën strategjike.
“Mendoj se kemi shumë karta në duar. Rezistenca e ukrainasve dhe ndikimi i sanksioneve tona po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi ekonominë ruse,” deklaroi Macron.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se mbetet skeptik për disa nga detajet në dokumentet e ardhura nga pala amerikane, por nënvizoi se dialogu është i domosdoshëm.
“Kjo është arsyeja pse jemi këtu,” theksoi ai./K.C/dritare.net