Topalli: Raporti për integrimin në BE variant ‘Instagram’, shumë larg realitetit!
Dritare.net

Deputetja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli e ka konsideruar raportin e hartuar nga qeveria për integrimin në BE, si një variant ‘instagram’, shumë larg realitetit. Topalli tha se Shqipëria nuk mund të integrohet kur rreth 405 e familjeve shqiptare rrezikojnë përjashtimin social, ku korrupsioni është në nivele të larta e drejtësia nuk funksionon.
“Është një raport i variantit “Instagram” të realitetit shqiptar. Është shumë larg nga ajo që jeton çdo ditë shqiptari, i riu, pensionisti e me radhë. PD ka qenë promotori kryesor i integrimit të Shqipërisë në BE. Unë e kam për detyrë të them se ka qenë PD që ka bërë lidhjen e fatit të Shqipërisë me Perëndimin, me BE-në dhe NATO-n.
Integrimi në BE nuk është slogan, është një transformim i thellë i shoqërisë dhe shtetit. Askush nuk mund të ndërtojë një demokraci evropiane kur vendi noton në korrupsion, kur shteti është i kapur, kur bëhet larja e parave. Askush nuk mund të ndërtojë, dhe as Shqipëria nuk mund të integrohet, duke pasur një ekonomi të deformuar nga oligarkët dhe krimi.
Nuk mund të integrohesh në BE nëse ti bën zgjedhje farsë. Evropa është një standard drejtësie, dinjiteti, lirie dhe barazie përpara ligjit. Shqipëria jeton një dramë të thellë sociale dhe morale. Mbi 40% e familjeve shqiptare rrezikojnë përjashtimin social. Mijëra njerëz ndihen të lënë jashtë ekonomisë. Kjo është krizë njerëzore dhe krizë morale.
Në çdo familje ka dikë që ka marrë rrugën e emigrimit. Pushteti sillet sikur kjo është diçka normale, ndërsa propaganda flet për zhvillim. Një vend nuk matet nga kullat, por nga mënyra se si njerëzit e zakonshëm jetojnë çdo ditë”, tha Topalli.