Na ndiqni edhe në

Bota

Martesë për green card! Shqiptari dhe bashkëshortja amerikane e pësojnë keq

Martesë për green card! Shqiptari dhe bashkëshortja amerikane e

Një shtetas shqiptar është akuzuar se ka mashtruar për martesën, ndërsa ai dhe bashkëshortja e tij amerikane përballen edhe me akuza për deklarata të rreme në disa dokumente të paraqitura në Shërbimin e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), pas një hetimi të udhëhequr nga Njësia e Hetimeve të Sigurisë Kombëtare pranë Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) në Newark.

Akuzat ndaj Elvis Harizaj, 25 vjeç nga Cherry Hill dhe Natasha Flores, 27 vjeçe nga Newark, u shpallën më 28 maj nga Gjykata Federale e Distriktit të Nju-Xhersit në Camden.

“Kjo dyshe dyshohet se ka minuar integritetin e ligjeve tona të imigracionit përmes një martese të rreme me qëllim përfitimi të paligjshëm të statusit të qëndrimit në SHBA,”, tha agjenti special i HSI-së, Ricky J. Patel. “Këto akuza duhet të shërbejnë si paralajmërim se mashtrimi me martesën është krim federal dhe ne do të hetojmë e ndjekim penalisht ata që përpiqen të anashkalojnë rrugët ligjore për qëndrim në vendin tonë.”

Sipas hetimeve të HSI Newark, Harizaj, shtetas i Shqipërisë, kishte hyrë në një martesë të simuluar me Flores me qëllim marrjen e qëndrimit të përhershëm në SHBA. Në dokumentet e paraqitura në USCIS, Harizaj kishte deklaruar rrejshëm se bashkëjetonte me Flores, ndërsa kjo e fundit kishte pohuar gabimisht se nuk kishte qenë e martuar më parë. Në fakt, Flores më parë kishte qenë e martuar me një shtetas brazilian, i cili kishte fituar shtetësinë amerikane përmes martesës me të.

Secila nga akuzat, si ajo për deklarata të rreme, ashtu edhe ajo për mashtrim me martesën, dënohet me një dënim maksimal prej pesë vitesh burg, një gjobë deri në 250,000 dollarë, si dhe tre vjet liri me kusht./K.C/dritare.net