Presidenti Trump pezullon programin e lotarisë amerikane
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar pezullimin e programit të lotarisë amerikane të green card (zyrtarisht i njohur si Diversity Immigrant Visa – DV1), në përgjigje të një serie sulmesh me armë në Universitetin Brown dhe në Massachusetts Institute of Technology (MIT) që lanë të vrarë disa persona.
Sekretarja për Sigurinë e Brendshme të SHBA-së, Kristi Noem, njoftoi se pezullimi është bërë me urdhër të Trump, duke thënë se personi i dyshuar, Claudio Neves Valente, “nuk duhej të ishte lejuar të hynte në vend”.
Valente, një shtetas portugez 48 vjeç, besohet të jetë autori i sulmit me armë në Universitetin Brown, ku dy studentë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën. Zyrtarët thanë gjithashtu se ai dyshohet se vrau edhe profesorin portugez të MIT, Nuno Loureiro.
Autoritetet deklaruan se ai kishte hyrë në SHBA fillimisht me vizë studenti dhe më vonë mori statusin e banorit të përhershëm (green card) në vitin 2017 përmes programit DV1.
Autoritetet deklaruan se ai kishte hyrë në SHBA fillimisht me vizë studenti dhe më vonë mori statusin e banorit të përhershëm (green card) në vitin 2017 përmes programit DV1.
Programi i lotarisë amerikane çdo vit ofron deri në 50 000 viza për banim të përhershëm për qytetarë nga vende me nivele të ulëta emigrimi në SHBA. Fituesit zgjidhen rastësisht, por duhet të kalojnë një proces të kontrolluar përpara se të marrin green card-in.
Sekretarja Noem tha se pezullimi është për të “siguruar që asnjë amerikan tjetër të mos dëmtohet nga ky program katastrofik”, duke rikujtuar edhe një sulm fatal të vitit 2017 ku një tjetër përfitues i programit vrau njerëz në Nju Jork, një argument që Trump e ka përdorur edhe më parë kundër programit.
"Lajm i keq" për Shqipërinë
Shumë qytetarë në Shqipëri mund ta shohin si një lajm të keq këtë masë të qeverisë amerikane. Edhe pse nuk është një anullim, por një pezullim, siç lexohet në njoftimin e Sekretares për Sigurinë e Brendshme Amerikane, lotaria amerikane në Shqipëri është aplikuar masivisht ndër vite. Nëpërmjet saj, shumë shqiptarë ndodhen sot në SHBA ku kanë ndërtuar jetën e tyre. Megjithatë këtë vit, procedurat për të nuk u aktivizuan zyrtarisht, duke lënë me pikëpyetje shumë aplikantë potencialë që DV Lottery e shohin si një mundësi për të vijuar jetën e tyre në SHBA. Deri më sot (19 Dhjetor) nuk ka patur një njoftim apo shpjegim zyrtar në lidhje me këtë.
Programi i "Lotarisë Amerikane" ka marrë miliona aplikime çdo vit nga e gjithë bota, deri në 20 milion të tilla në vitin 2025 sipas La Repubblica, e cila saktëson se nga shifra totale e aplikuesve janë shpallur fitues rreth 131 mijë të tillë./L.F-dritare.net