Rritet tensioni në Lindjen e Mesme/ Raketa iraniane neutralizohet mbi hapësirën ajrore turke
Dritare.net

Turqia njoftoi të hënën se një raketë balistike e lëshuar nga Irani dhe e cila hyri në hapësirën ajrore të vendit u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO‑s të vendosura në Mesdheun Lindor.
Ministria turke e Mbrojtjes bëri me dije se raketa u shkatërrua para se të rrezikonte zonat e banuara dhe se pjesë të mbeturinave ranë në fusha të zbrazëta në provincën juglindore të Gaziantepit, pa raportime për lëndime apo dëme materiali.
Ky është incidenti i dytë brenda javës ku një mjet balistik i lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme është neutralizuar para se të arrinte territorin turk, pas një rasti të ngjashëm më 4 mars kur një raketë u rrëzua nga mbrojtja ajrore të NATO‑s pasi kaloi mbi ajrin e Irakut dhe Sirisë.
Në një deklaratë, autoritetet turke nënvizuan se do të marrin “të gjitha masat e nevojshme me vendosmëri dhe pa hezitim” për të mbrojtur territorin dhe hapësirën ajrore të vendit, ndërsa bëjnë thirrje për shmangie të veprimeve që mund të rrezikojnë sigurinë rajonale.
NATO‑ja po ashtu riafirmoi gatishmërinë e saj për të mbrojtur anëtarët e saj, duke theksuar se sistemet e mbrojtjes raketore janë aktivizuar për të neutralizuar kërcënime të mundshme ndaj hapësirës ajrore të Turqisë./K.C/dritare.net