Na ndiqni edhe në

Emisionet

Kampi në Manzë në rrezik. Flet Gledis Nano!

Kampi në Manzë në rrezik. Flet Gledis Nano!

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano i ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV ka folur për situatën e kampit të muxhahedinëve në Manzë dhe rreziqet që lidhen me të. Sipas tij, kampi ka qenë gjithmonë në fokus të sigurisë për shkak të potencialit të sulmeve nga Irani, por deri më tani sulmet janë parandaluar.

“Institucionet e sigurisë në Shqipëri kanë punuar vazhdimisht për të krijuar kushte sigurie për banorët e kampit, duke ditur që Irani i ka pasur në fokus për t’i dëmtuar apo vrarë, siç ka ndodhur në shtete të tjera evropiane.", tha Nano.

Ai shtoi se sulmet nuk synojnë popullsinë e përgjithshme të kampit, që është rreth 2–3 mijë persona, por lidershipin e tij, i cili konsiderohet gjithmonë i rrezikuar. “Irani nuk ka kapacitet të sulmojë të gjithë kampin me raketa apo dronë. Kapaciteti i tij është i kufizuar, por nuk duhet nënvlerësuar. Ai historikisht ka financuar terrorizmin dhe ka agjentë të gatshëm për sulme kundër opozitës iraniane, përfshirë muxhahedinët.", shtoi Nano.

Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria nuk është përdorur si bazë operative për sulme dhe çdo planifikim i tillë është parandaluar përmes bashkëpunimit me SHISH-in dhe partnerët ndërkombëtarë. “Sulmet janë parandaluar për shkak të informacionit të saktë dhe masave të institucioneve të sigurisë. Nuk kanë qenë të përfshirë shqiptarë në realizimin e sulmeve, të gjitha veprimet kanë qenë të huaja,” tha ai.

Nano vuri në dukje gjithashtu lidhjen e situatës me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe rreziqet që mund të lindin nga tensionet ndërkombëtare. “Krimi i organizuar shfrytëzon konfliktet për të kontrabanduar armë dhe njerëz. Shqipëria është e vendosur larg frontit të konfliktit, por në raste të caktuara, grupet kriminale mund ta shfrytëzojnë këtë situatë.", tha ai./K.C/dritare.net