Na ndiqni edhe në

Bota

Shtëpia e Bardhë: Armëpushimi me Iranin do të vazhdojë vetëm nëse hapet Ngushtica e Hormuzit

Shtëpia e Bardhë: Armëpushimi me Iranin do të vazhdojë

Shtëpia e Bardhë ka dhënë sqarime mbi bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, duke treguar se pas një propozimi të parë të cilin e konsideruan “të parëndësishëm”, një plan i dytë është parë si një bazë e punueshme për negociata intensive që pritet të fillojnë këtë fundjavë.

Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, tha se plani fillestar 10-pikësh i iranianëve ishte “thelbësisht i parëndësishëm, i papranueshëm dhe u hodh komplet poshtë”. Pak para afatit të presidentit Donald Trump, Iranit i është kërkuar të dorëzojë një plan tjetër më të arsyeshëm, të ndryshëm dhe të përmbledhur, që Trump dhe ekipi i tij e shohin si “bazë të punueshme për negociata.”

Negociatorët do të punojnë për të bashkuar këto dy korniza në një marrëveshje gjatë bisedimeve të mbyllura që do të zhvillohen në Islamabad nga e shtuna. Leavitt theksoi se “linjat e kuqe të presidentit, përfundimi i pasurimit të uraniumit nga Irani, nuk kanë ndryshuar.”

Sekretarja shtoi gjithashtu se Irani i ka garantuar Shtëpisë së Bardhë se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për trafikun detar, pavarësisht raportimeve për mbyllje të mundshme. “Çfarë ata thonë publikisht është ndryshe nga ajo që na tregojnë privat,” tha Leavitt, duke shtuar se trafiku në po rritet gradualisht.

Leavitt nënvizoi se gatishmëria e presidentit Trump për negociata është e lidhur me faktin që ngushtica të mbetet e hapur pa kufizime apo vonesa, dhe çdo mbyllje do të ishte “plotësisht e papranueshme”. Madje, Shtëpia e Bardhë e konsideron edhe vendosjen e tarifave nga Irani për kalimin si një kufizim të papranueshëm.

“Këto negociata jashtëzakonisht komplekse dhe delikate do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura gjatë dy javëve të ardhshme, për sa kohë që straiti i Hormuzit mbetet i hapur pa kufizime,” përfundoi Leavitt.

Irani ka mbyllur efektivisht ngushticën gjatë muajit të fundit të luftës, duke penguar transportin e naftës nga Gjiri Persik dhe duke shkaktuar krizë energjetike globale./K.C/dritare.net