Shtëpia e Bardhë i përgjigjet liderëve evropianë: SHBA do ta mbrojë më mirë Grenlandën
Dritare.net

Shtëpia e Bardhë rikujtoi se Grenlanda do të ishte më e mirë e mbrojtur nga Shtetet e Bashkuara, pas deklaratave të liderëve evropianë që shprehën mbështetje për Danimarkën dhe territorin danez.
“Presidenti Trump beson se Grenlanda është një vend strategjikisht i rëndësishëm dhe thelbësor për sigurinë kombëtare, dhe është i sigurt se banorët e Grenlandës do të përfitonin më shumë nëse mbroheshin nga Shtetet e Bashkuara ndaj kërcënimeve moderne në rajonin e Arktikut,” tha për CNN zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly. “Presidenti është i përkushtuar për të krijuar paqe afatgjatë brenda dhe jashtë vendit,” shtoi ajo.
Nga ana tjetër, liderët evropianë nënvizuan se “Grenlanda i përket popullit të saj.”
“Është për Danimarkën dhe Grenlandën, dhe vetëm për ta, të vendosin për çështjet që i përkasin Danimarkës dhe Grenlandës,” shkruan në deklaratën e tyre udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Britanisë dhe Danimarkës./K.C/dritare.net