Reshjet intensive rrisin prurjet e Lanës, Pallati me Shigjeta zona më e rrezikuar
E Mërkurë 7 Janar 2026, 18:06
Dritare.net

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë kryeqytetin gjatë orëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve në lumin Lana.
Zona pranë Pallatit me Shigjeta konsiderohet më problematikja dhe më e ndjeshmja, ku rreziku që Lana të dalë nga shtrati mbetet i lartë.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së nivelit të ujit, deri në këto momente në kryeqytet nuk janë regjistruar përmbytje, dëme materiale apo bllokime të qarkullimit rrugor.
Autoritetet janë në monitorim të situatës, ndërsa bëhet me dije se Tirana paraqitet më e qetë krahasuar me disa zona të tjera të vendit, të cilat janë prekur më rëndë nga reshjet./K.C/dritare.net