Na ndiqni edhe në

Sport

Sylvinho edhe 7 muaj trajner i kombëtares, Duka i rinovon kontratën

Sylvinho edhe 7 muaj trajner i kombëtares, Duka i rinovon kontratën


Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior (Silvinjo), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior. Vendimi konfirmon vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar.

Kontrata e re e stafit teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor: kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës.

Nën drejtimin e Silvinjos, Kombëtarja shqiptare ka shënuar progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke arritur për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026. Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm në rritjen dhe konsolidimin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Muaji mars pritet të shënojë një kapitull historik për kuqezinjtë. Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e play-off-it më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të luajë ndaj fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi.

Rinovimi i kontratës reflekton besimin e plotë të FSHF-së në stafin aktual, filozofinë e punës së ndërtuar ndër vite dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta. Ky hap synon forcimin e mëtejshëm të Kombëtares, rritjen e konkurrencës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në skenën ndërkombëtare.


Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e vendosur të mbështesë maksimalisht Kombëtaren dhe stafin teknik në këtë rrugëtim historik, me synimin për ta kthyer ëndrrën e Botërorit në realitet për të gjithë shqiptarët./K.C/dritare.net