
CNN
Pentagoni dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së nënvlerësuan ndjeshëm gatishmërinë e Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve ushtarake amerikane, sipas disa burimeve të njohura me planifikimin e operacionit.
Sipas burimeve, ekipi i sigurisë kombëtare i presidentit Donald Trump nuk i mori plotësisht parasysh pasojat e një skenari të tillë, i cili tani po krijon probleme serioze për administratën amerikane dhe tregjet globale të energjisë.
Zyrtarët e Departamentit të Energjisë dhe të Thesarit morën pjesë në disa takime planifikimi para nisjes së operacionit, por analizat ekonomike dhe parashikimet që zakonisht kanë rol kyç në vendimmarrje në administratat e mëparshme nuk u trajtuan si prioritet.
Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe sekretari i Energjisë Chris Wright kanë qenë pjesë e planifikimit dhe zbatimit të konfliktit. Megjithatë, burimet thonë se mënyra e vendimmarrjes së Trumpit – duke u mbështetur te një rreth i ngushtë këshilltarësh – kufizoi debatin mes agjencive për pasojat ekonomike nëse Irani do të bllokonte kalimin strategjik.
Tashmë, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se mund të duhen disa javë për të zbutur pasojat ekonomike. Ndër opsionet është shoqërimi ushtarak i tankerëve të naftës nga marina amerikane, por Pentagoni vlerëson se aktualisht është shumë e rrezikshme për shkak të kërcënimeve nga dronët, raketat dhe minat detare iraniane.
Ndërkohë, industria e transportit detar ka kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga marina amerikane për anijet e naftës, por kërkesat janë refuzuar për shkak të rrezikut të lartë dhe angazhimeve të tjera ushtarake.
Në komentet e para publike pas përshkallëzimit të situatës, lideri i ri suprem i Iranit Mojtaba Khamenei deklaroi se ngushtica do të mbetet e mbyllur si “mjet presioni”.
Ekspertët paralajmërojnë se bllokimi i kësaj rruge detare – një nga më të rëndësishmet për tregtinë globale të naftës – mund të ndikojë ndjeshëm në furnizimet botërore me energji dhe në rritjen e çmimeve të karburanteve.
Në përpjekje për të zbutur krizën, administrata amerikane po shqyrton masa të tjera, përfshirë lehtësimin e disa rregullave energjetike dhe heqjen e përkohshme të disa sanksioneve ndaj naftës ruse të bllokuar në det./L.F-dritare.net