
Ukraina pëson sulmin më të rëndë, ndërsa Trump kritikon Putinin
Dritare.net
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh ajror ndonjëherë ndaj Ukrainës, duke lëshuar 728 dronë dhe 13 raketa në disa valë.
Ai e quajti këtë një sulm domethënës që vjen në një kohë përpjekjesh për paqe dhe armëpushim, por që Rusia vazhdon t’i refuzojë.
Sulmi ndodhi pak pasi Donald Trump deklaroi se SHBA do të rifillojë dërgimin e armëve në Ukrainë, ndonëse javën e kaluar ishte raportuar një pezullim i ndihmës, për të cilin Trump tha se nuk kishte dijeni. Madje, në një moment i tha gazetarëve: “Nuk e di. Pse nuk ma thoni ju?”
Trump shprehu zhgënjim ndaj Putinit: “Na thotë shumë broçkulla... është gjithmonë i sjellshëm, por s’ka kuptim.” Nga ana tjetër, Kremlini u shpreh i qetë, duke thënë se Trump shpesh përdor gjuhë të ashpër.
Ndërkohë, Ukraina mund të marrë 10 raketa Patriot pas ndryshimit të vendimit amerikan.
Qyteti i Lutsk, pranë kufirit me Poloninë, u godit rëndë gjatë sulmit të fundit, dhe shpërthime u raportuan edhe në Lviv dhe Rivne. Nga ana tjetër, Rusia tha se një sulm me dron nga Ukraina në rajonin kufitar Kursk vrau tre persona.
Trump po shqyrton edhe një projektligj për tarifa 500% ndaj vendeve që tregtojnë me Rusinë, megjithëse deri tani nuk ka vendosur sanksione.
Ndërkohë, ofensiva verore ruse në lindje të Ukrainës vazhdon, dhe Peskov deklaroi: “Çdo ditë e re, ukrainasit duhet të pranojnë realitetin e ri.”
Zelensky ndodhet në Romë për Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, ku do të takohet me Papa Leon dhe përfaqësues amerikanë dhe europianë, përfshirë kancelarin gjerman./K.C/dritare.net

















