Zbulohen mesazhet e Sara Ferguson me Epstein. Po çfarë lidhje kanë princeshat Eugenie dhe Beatrice?
Dritare.net

Publikimi i fundit i email-eve të lidhura me Jeffrey Epstein ka rikthyer në qendër të vëmendjes Sarah Ferguson dhe princeshat Beatrice e Eugenie. Dokumentet e reja shtojnë sikletin për familjen, pasi përveç një fotografie të mëhershme komprometuese të Princit Andrew, emrat e ish-bashkëshortes dhe vajzave të tij përmenden disa herë në korrespondencë.
Në disa email-e, Sarah Ferguson, ish-Dukesha e Jorkut shfaqet në marrëdhënie miqësore dhe të afërta me Epstein edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 për prostituim të të miturve. Në një mesazh të vitit 2009, ajo e falënderon për mbështetjen dhe e quan “vëllai që kam dashur gjithmonë”. Në një tjetër mesazh plot tone miqësore, ajo i shpreh mirënjohje për “bujarinë dhe dashamirësinë”, madje me shaka shkruan: “Jam në shërbimin tënd. Martohu me mua”.
Dokumentet tregojnë gjithashtu një email ku një person i identifikuar si “Sarah” e uron Epstein për lindjen e një “djali”, ndonëse publikisht nuk është konfirmuar që ai të ketë pasur fëmijë. Në të njëjtin komunikim, ajo shpreh zhgënjim, duke thënë se kishte ndier se miqësia e tij me të ishte vetëm për të arritur tek Princi Andrew.
Një pjesë e email-eve hedhin dritë edhe mbi çështje financiare. Në vitin 2009, pas dështimit të një sipërmarrjeje, Ferguson i shkruan Epstein se i nevojiten urgjentisht 20 mijë paund për të paguar qiranë, pasi pronari kishte kërcënuar ta çonte çështjen në media. Në dokumente përmenden edhe diskutime për borxhe dhe ndihmë financiare që Epstein pretendon se i ka ofruar asaj për vite me radhë.
Në një tjetër mesazh, Epstein duket se sugjeron që Ferguson të ndihmojë në pastrimin e imazhit të tij publik, duke pretenduar se ajo ishte “mashtruar” nga histori të rreme dhe se mund të deklaronte se ai nuk ishte pedofil. Sipas dokumenteve, përfshihet edhe strategjia e publicistit të tij për të ndikuar në mënyrën si media e përshkruante rastin.
Edhe princeshat Beatrice dhe Eugenie përmenden në disa komunikime, përfshirë një referencë të papërshtatshme ndaj Eugenie në një email drejtuar Epstein. Megjithatë, dokumentet e publikuara nuk paraqesin prova për shkelje të reja ligjore nga ana e Ferguson apo vajzave të saj.
Princi Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë për abuzime, ndërsa zyra e tij dhe përfaqësuesit e Sarah Ferguson janë kontaktuar për koment lidhur me zbulimet e fundit./K.C/dritare.net