Atentati në Lezhë/ Policia ndalon një efektiv, shpall në kërkim 4 të tjerë
Dritare.net

Policia e Lezhës po vijon hetimet intensive për ngjarjen e ndodhur të dielën në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, ku një person mbeti i plagosur me armë zjarri. Grupi i Posaçëm Hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur procedurat për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në kuadër të hetimeve, është ekzekutuar urdhri i ndalimit për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit G. N., E. N., K. N., dhe M. N., të cilët dyshohen për përfshirje në veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, municionit dhe lëndëve shpërthyese”.
Policia vijon punën për kapjen e të shpallurve në kërkim dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për shkak të natyrës sensitive të hetimeve, nuk jepen detaje të tjera për momentin.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për procedim penal ndaj personave të dyshuar./K.C/dritare.net