Ja plani që mund ta shpëtojë PD-në! Flet Leonard Olli!
Dritare.net

Analisti Leonard Olli, i ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, ka kritikuar fort mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike, duke thënë se partia po shkon drejt një modeli “zotërimi të plotë të lidershipit”, gjë që sipas tij nuk e ndihmon për të ardhur në pushtet.
Duke analizuar situatën e brendshme në PD, Olli u shpreh se mungesa e hapjes dhe rinovimit të strukturave drejtuese ka krijuar një ekip që, sipas tij, “e ka dhënë atë që kishte për të dhënë”, ndërsa nuk sjell më risi politike.
Ai theksoi gjithashtu se në parti vijojnë të mbeten figura të vjetra në drejtim prej gati dy dekadash, gjë që sipas tij tregon mungesë të qartë të ndryshimit dhe freskimit të elitës politike.
Sipas Ollit, nëse nuk ndodh një hapje reale e Partisë Demokratike pas procesit të brendshëm zgjedhor, atëherë ajo nuk ka gjasa të ndryshojë kursin e saj politik. Ai shtoi se retorika e vazhdueshme kundër kundërshtarit politik nuk mund të shoqërohet me mungesë reformimi të brendshëm.
Olli gjithashtu komentoi se në PD nuk funksionon një sistem i balancuar vendimmarrjeje, por një strukturë e përqendruar te një figurë qendrore, ndërsa pjesa tjetër e drejtuesve, sipas tij, thjesht e ndjek dhe e përsërit atë linjë.
Në analizën e tij, ai preku edhe figurat drejtuese si Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, duke thënë se rolet e tyre në parti janë të kufizuara nga mënyra e funksionimit të brendshëm, ku vendimmarrja mbetet e centralizuar.
Në fund, Olli theksoi se mungesa e debatit të brendshëm dhe e alternativave reale brenda Partisë Demokratike po e çon atë drejt një tkurrjeje të vazhdueshme elektorale./K.C/dritare.net