Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dosja e Inceneratorit/ Apeli shpëton Bllakon nga një akuzë, ul dënimin në 2 vite burg

Dosja e Inceneratorit/ Apeli shpëton Bllakon nga një akuzë, ul

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lehtësuar dënimin për ish-deputetin Alqi Bllako, duke e shpallur të pafajshëm për episodin që lidhej me përfitimin e parregullt të 7.5 milionë lekëve. Apeli la në fuqi fajësinë për përfitimin e 119 mijë eurove, por vendosi uljen e dënimit në dy vite burg, me pjesën e mbetur që do të kryhet në shërbim prove. Vendimi u shpall këtë të mërkurë nga Gjykata e Posaçme e Apelit, ndërsa ndaj tij lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

NJOFTIMI PËR MEDIAT

– Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më 20.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 30 akti, datë 11.03.2026 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 69, datë 04.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 69, datë 04.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa ka disponuar lidhur me fajësinë, cilësimin juridik dhe masën e dënimit të dhënë për faktin penal të përfitimit të parregullt të shumës 119,715 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë) euro, si dhe për disponimet lidhur me aplikimin e dënimit plotësues dhe shpenzimet gjyqësore.
Ndryshimin e vendimit nr. 69, datë 04.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër, si më poshtë:
-Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.B, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, për faktin penal lidhur me përfitimin e parregullt për shtetasin V.B në vlerën 7.520.000 (shtatë milion e pesëqind e njëzet mijë) lekë, për shkak se fakti nuk përbën vepër penale.

-Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A.B i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë për faktin penal të përfitimit të parregullt të shumës 119,715 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë) euro, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

-Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit A.B për një periudhë kohe të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur të pavuajtur të dënimit me burgim.

-Detyrimin e të pandehurit A.B të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.

-Detyrimin e të pandehurit A.B të mos shoqërohet me persona të dënuar.

-Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.

Ndryshimin e vendimit nr. 682, datë 28.11.2024 të Gjykatëssë Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vetëm për sa i përket disponimit për caktimin e gjobës në masën 10.000 (dhjetë mijë) lekë për kërkuesin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organziuar, duke e hequr masën e gjobës.
Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, sot më datë 20.05.2026./K.C/dritare.net