Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dje u bllokua Autostrada, po sot…

Ajo që pamë dje në mbremje në autostraden kryesore të vendit ishte një demonstrim force, por jo domosdoshmërisht një demonstrim alternative. Qindra qytetarë mbetën në trafik, udhëtarë rrezikuan fluturimet.

Protesta është e drejtë kushtetuese. Ajo është një nga mjetet më të rëndësishme të demokracisë. Por ekziston një kufi i hollë mes protestës që synon të bindë shoqërinë dhe protestës që fillon të ndëshkojë vetë qytetarët.

Dje nuk u bllokua qeveria. Nuk u bllokuan ministrat. Nuk u bllokua Kryeministria. U bllokuan njerëzit e zakonshëm.

Pyetja që shtrohet sot është më e rëndësishme se ajo që ndodhi dje: cili është hapi i radhës? Çfarë vjen pas bllokimit? Cili është projekti politik, ekipi, programi dhe vizioni që u ofrohet shqiptarëve?

Historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se zemërimi mund të mbledhë turma, por nuk mjafton për të ndërtuar besim. Shqiptarët kanë parë protesta, revolta, bojkote dhe përplasje për më shumë se tri dekada. E kemi parë këtë film disa herë dhe sado të ndërrojnë aktorët, përfundimi njësoj do të jetë.

Prandaj dita e sotme është e rëndësishme. Do vijojë bllokimi? Do bllokojmë të gjitha rrugët tona?

A ka nevoje Shqipëria për më shumë rrugë të mbyllura? Apo ka nevojë për më shumë rrugëdalje. Dhe rrugëdaljet nuk ndërtohen me barrikada, por me ide. Në fund, qytetarët nuk zgjedhin të drejtohen nga kush bllokon trafikun. Ata zgjedhin kë mund ta bëjë jetën e tyre më të mirë. Kjo është beteja që mbetet për t’u fituar./ dritare.net