
Nga Dritan Hila
Edi Rama e shpartalloi koalicionin Berisha & Meta në një përmasë që vetëm ai e priste. Do kemi kohë të flasim më gjerë edhe për numrat dhe arsyet, por në një analizë të shpejtë, ia doli aty ku edhe kundërshtarët e tij në parti, detyrohen t’ia njohin meritën: Ishte i vetmi që mund të sillte katër herë rresht në pushtet socialistët.
Në 12 vjet pushtet, më shumë se me shijimin e tij, ai u mor me ngjitjen dhe kolaudimin e copave të së majtës; me vendosjen në dhomën e trofeve të lojtarëve të së shkuarës, në stolin e rezervës të lojtarëve që mund t’i duheshin, dhe duke hedhur gjithmonë në fushë lojtarët që mund të mbanin 120 minuta ndeshje.
Sikurse një avokat apo mjek që e shikon klientin apo pacientin ftohtë, sepse Rama nuk është i dashuruar me të majtën që të mund të bënte gabime që i bën vetëm symbyllja e një të dashuruari, ia doli që të bënte kohezionin e saj me një saktësi që vetëm ata që nuk e duan mund ta bëjnë. Numrat stabël në këto 12 vjet përplasje treguan që aplikimi ka qenë i saktë.
Sot në PS janë nostalgjikët e partisë së punës; janë fëmijët e ish-funksionarëve të saj, janë fëmijët e atyre që dikur Enver Hoxha i pushkatoi dhe internoi, janë brezi i fansave të Edi Ramës qysh se ai ishte kryetari kontrovers i bashkisë, janë brezi i katërt i atyre që dikur e themeluan, sikurse i atyre që dikur u larguan me partiçka të dala nga trupi i PS.
Në 12 vjet Rama ia doli t’i unifikojë, mos lejojë përçarjen, t’i modernizojë si një makinë elektorale dhe qartësojë se pushteti nuk arrihet dhe mbahet duke zbritur në fushën e betejës me berishajt si fise primitive, secili për hesap të vet, por si romakët, me legjione radhë shtrënguara nën një komandë të hekurt qendrore.
Mos lëvizja e numrave dhe mungesa e shizmave, fitorja e pastër, një kundërshtar që tashmë nuk gjen më arsyet e humbjes, janë rezultati.
Partia Socialiste e 2025-ës nuk ka asnjë lidhje me atë që doli nga ish PP në ‘91-shin, apo ajo që la Fatos Nano në 2005-ën. Ajo tashmë ka fytyrën e Edi Ramës. Fitorja e 2025-ës është fitorja e Edi Ramës dhe PS ishte instrumenti. Një instrument që e kaliti në farkën e 2017-ës, 2019-ës, 2021-shit, 2023-shit, dhe tashmë 2025-ës, duke i krijuar bindjen se mund të fitojë edhe e vetme. Kush nga kundërshtarët e ka akuzuar për frikacak, tashmë e ka vërtetuar në lëkurën e tij që është strategjisti më i mirë jo vetëm në tregun shqiptar, ku nëse një ditë do të vendosi të largohet nga politika, do ta paguanin miliona.
Pothuajse 60 vjeç, rishtas ishte më moderni në veshje, ide, batutë, duke i bërë kundërshtarët, ta imitonin por kurrë ta konkurronin.
Në PS do vazhdojnë përplasjet e nëndheshme për të qenë sa më afër fronit por jo që ta lakmojnë atë; do vazhdojnë përpjekjet për t’i rënë në sy por asnjëherë duke e parë si të barabartë, dhe si një Cezar modern, benefitet do shpërndahen duke u matur me kontributin që sjell në vota, dhe duke u kujdesur që në radhët e tij mos ketë asnjë Brut që t’i ngulë thikën. Pasi ai vetë e ka thënë, që sikurse Silla, do largohet nga pushteti kur të dojë vetë, ku duket qartë që ambicia e tij është të çojë në 100 vjetorin e saj një parti që lindi si imituese e komunizmit lindor, por që po kap shekullin si një formacion modern socialdemokrat perëndimor, ende e aftë të konkurrojë dhe marrë pushtetin./dritare.net

















