
Ekipi kombëtar i futbollit të Irakut është vetëm 90 minuta larg kualifikimit për Kupën e Botës FIFA, për herë të parë pas rreth 40 vitesh. Por zhvillimet jashtë fushës mund ta bëjnë këtë mision shumë më të vështirë.
Më 31 mars, Iraku pritet të përballet në Monterrey të Meksikës me fituesin e ndeshjes Bolivi–Surinam, një takim vendimtar për një vend në Kupën e Botës 2026. Megjithatë, lufta në Iran dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë krijuar probleme serioze për ekipin irakian, i cili mund të mos arrijë të udhëtojë në kohë për ndeshjen.
Trajneri i kombëtares së Irakut, Graham Arnold, tha për CNN Sports se shumica e lojtarëve dhe stafi teknik janë të bllokuar në Irak për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore.
“Është stresuese. Është një sfidë e madhe. Kam katër ose pesë plane të ndryshme për momentin dhe shumë netë pa gjumë duke u përpjekur të gjej zgjidhjen e duhur,” tha Arnold.
FIFA mund të shtyjë ndeshjen
Shoqata e Futbollit të Irakut i ka kërkuar zyrtarisht FIFA-s të shtyjë ndeshjen eliminatore, në mënyrë që skuadra të ketë kohë të udhëtojë drejt Meksikës. Vendimi i FIFA-s pritet të merret brenda kësaj jave.
Situata është bërë edhe më e ndërlikuar sepse rreth 60% e skuadrës është ende në Irak, stafi mjekësor ndodhet në Katar, ndërsa vetë trajneri Arnold është bllokuar në Dubai, ku po ndiqte disa lojtarë kur shpërthyen tensionet në rajon në fund të shkurtit.
Ai e krahasoi situatën me fillimin e pandemisë Covid-19, kur udhëtimet ndërkombëtare u ndërprenë papritur.
Probleme me vizat dhe udhëtimin
Përveç vështirësive të transportit, mbyllja e disa ambasadave në rajon po e bën edhe më të vështirë marrjen e vizave për në Meksikë ose SHBA. Për këtë arsye është anuluar edhe një kamp stërvitor në Hjuston, i planifikuar për t’u përshtatur me klimën dhe zonën kohore.
Një nga opsionet e pakta do të ishte udhëtimi i lojtarëve me autobus nga Iraku drejt një vendi tjetër, por Arnold thotë se kjo nuk është një zgjidhje e mirë.
“Një udhëtim 30-orësh me autobus nuk është i mundur dhe nuk është i shëndetshëm për lojtarët. Përveç kësaj, do të përballeshim me probleme të tjera me vizat,” tha ai.
Çfarë ndodh nëse Irani tërhiqet?
Ndërkohë, ekziston edhe një skenar tjetër. Irani ka hedhur dyshime mbi pjesëmarrjen në turne për shkak të konfliktit të fundit.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, deklaroi se pas sulmeve ndaj vendit të tij “nuk mund të pritet që Irani ta presë me entuziazëm Kupën e Botës”.
Nëse Irani tërhiqet nga gara, FIFA do të duhet të gjejë një ekip zëvendësues, dhe trajneri Arnold beson se vendi duhet t’i jepet Irakut.
“Nëse Irani përjashtohet, ne duhet të jemi të radhës, sepse jemi pjesë e së njëjtës konfederatë,” tha ai.
Propozimi i trajnerit
Arnold propozon që ndeshja vendimtare kundër fituesit të duelit Bolivi–Surinam të zhvillohet pak para fillimit të Kupës së Botës, duke i dhënë Irakut kohë të përgatitet dhe të udhëtojë.
“Bolivia dhe Surinami mund të luajnë në mars. Ne mund të përballemi me fituesin e tyre pak para turneut. Fituesi shkon në Kupën e Botës, humbësi kthehet në shtëpi,” tha ai.
Megjithatë, për momentin gjithçka mbetet e paqartë dhe ëndrra e Irakut për t’u rikthyer në Kupën e Botës mund të varet jo vetëm nga futbolli, por edhe nga zhvillimet në rajon.