Emiratet e Bashkuara goditen sërish nga Irani. Rrëzohen 8 raketa dhe 26 dronë
Dritare.net

Mbrojtja ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe, ka interceptuar sot një valë të re sulmesh ajrore, duke shkatërruar shumicën e raketave dhe dronëve të lëshuar drejt vendit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Sipas njoftimit zyrtar, sistemet e mbrojtjes ajrore kanë zbuluar nëntë raketa balistike, nga të cilat tetë u shkatërruan në ajër, ndërsa një tjetër ra në det pa shkaktuar dëme.
Po ashtu u identifikuan 35 dronë, ku 26 prej tyre u interceptuan, ndërsa nëntë ranë në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se, që nga fillimi i sulmeve, janë drejtuar gjithsej 262 raketa balistike dhe 1,475 dronë drejt vendit. Nga këto, 241 raketa janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa 1,385 dronë janë interceptuar.
Autoritetet konfirmuan se sulmet kanë shkaktuar gjashtë viktima, mes tyre shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, si edhe qytetarë nga Pakistani, Nepali dhe Bangladeshi.
Në reagimin e saj, Ministria e Mbrojtjes theksoi se forcat e armatosura mbeten në gatishmëri të lartë për t’u përballur me çdo kërcënim dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje që synon destabilizimin e sigurisë së vendit.
“Ministria e Mbrojtjes konfirmon se është në gjendje të plotë gatishmërie për t’u përballur me çdo kërcënim dhe për të ruajtur sovranitetin, sigurinë dhe stabilitetin e shtetit, si dhe për të mbrojtur interesat dhe kapacitetet kombëtare”, thuhet në deklaratë./K.C/dritare.net