Na ndiqni edhe në

Editorial

E gëzofshim Teatrin e ri të Operas!

E gëzofshim Teatrin e ri të Operas!

Nga Rudina Xhunga

Robert Radoja qante mbrëmë, ndërsa përshëndeste orkestrën e TOB. Muzikantët i dërgonin puthje dhe kjo skenë zgjati derisa orkestra u mbulua nga lulet që iu hidheshin nga skena, prej Placido Domingos, Ermonela Jahos dhe gjithë yjeve tanë, si lulet për muzikën.

Mbrëmja e djeshme ishte nga më të bukurat e këtyre viteve në Tiranë. Më emocionuesja. Në fund të gjithë artistët u përlotën, teksa këndonin Brindisin e Verdit.

Dhe salla e skena u bënë një, në duartrokitje zemre, për të uruar shtëpinë e re të Operas, për të kujtuar të dashurit që humbëm gjatë pandemisë, për të festuar jetën dhe muzikën!

Kur Ermonela Jaho u përkul dhe preku tokën duke e puthur dhe vënë te zemra, kur Placido Domingo këndoi krah saj, ti e dije që ajo ishte skena jote, por të dukej aq e ngjashme me çdo skenë ku Ermonela jonë këndon tani dhe Domingo ka kënduar gjithmonë.

Sepse ndryshimi i Teatrit është i tillë, aq rrënjësor e përmbajtjesor sa ndihesh mirë dhe e barabartë me skena dinjitoze në botë.

Ky ishte urimi i çdo duartrokitjeje. E gëzofshim Teatrin e ri dhe e paçim përherë plot si mbrëmë, me muzikën që nuk vdes kurrë!

Para se shfaqja të niste, Saimir Pirgu më dërgoi përshëndetjen e tij për hapjen e madhe. Kujtova La Scala kur e xhiroja, pastaj Ermonela Jahon në Verona kur mbushte amfiteatrin dhe Preljocaj në Paris, në një sallë magjie. I kam xhiruar të gjithë ata, në skena bote, krenare që çonin kudo një copë Shqipërie.

Të gjithë ishin mbrëmë aty, në mënyrën e tyre, me ëndrrat e bëra realitet. Si ëndrra e një vajze të vogël që e deshi atë skenë dhe mbrëmë e dominoi siç di ajo, me atë zë dhe atë interpretim. Ndaj e puthi tokën mbrëmë Ermonela, sepse ajo skenë tani mund të jetë ëndrra e një vajze tjetër. Ëndrrat nuk janë të pamundura, as kur thuren në skena të vogla si jona. Është fuqia e tyre që të transporton në çdo skene dhe të bën divë.

Me Ermonelen ishte dhe maestro, Placido Domingo i madh, njeriu që ka shoqëruar Invën, Ermonelën, Saimirin si nxënës dhe kolegë, ndërsa dje erdhi aty, ku nisi ëndrra e tyre. Në një natë madhështie, ku asgjë nuk ngjante më e pamundur.

Dje Teatri i ri, ishte vetë një ëndërr e realizuar e gjithë artistëve që ishin dhe nuk janë më, që kënduan për 5 vjet ku mundeshin dhe për shumë vite të tjerë, më parë, po aty, edhe pse aty nuk këndohej më. Dje gjithçka kishte një logo: Ti mundesh! Të kesh skenën që meriton. Por çdo gjë do të ishte dru e tapiceri, pa ato zëra, pa atë orkestër, ato portrete grash e burrash, që sollën muzikën në zemrat tona, duke na kujtuar se njerëzit i japin shpirtin objekteve dhe pa ta, asgjë nuk ka kuptim. Ajo gala mbrëmë ishte oaza që kërkojmë, për të ndaluar dhe besuar se jeta do festuar. Me art të mirë me artistë të mirë. Ajo qe steka që u ngrit për t'u thënë krijuesve, afrohuni në këtë nivel, sepse këtë do publiku i lodhur me maratona banaliteti që duan lekët tuaja, jo shpirtin tuaj.

Ne mundemi, ta mbushim plot atë sallë sa herë, të bëjmë vajza e djem të rinj të ëndërrojnë të ngjiten aty e pastaj të provojnë çdo skenë të botës, mundemi të nisim këtu, sepse këtu ka peshë, mundemi të fillojmë të jetojmë sërish pas pandemisë. Ky ishte mesazhi i asaj skene dje që solli më të mirën që kemi dhe më të mirën do të sjellë. Urimi i natës së mbrëmshme shkon për të gjithë artistet. Lotët e tyre flasin më shumë se gjithçka.

Ndaj, nuk kishte nevojë të bërtitej aq shumë nga organizatorët që këtë teatër e mundësoi Edi Rama, sepse Edi Rama nuk mund të mos e bënte.

Sikundër Zana Çela nuk mund të mos realizonte mbrëmë atë shfaqje, në fund të së cilës, e thua me zë të lartë; Çfarë mbrëmje! Çfarë privilegji që isha e ftuar! /dritare.net