Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Belinda Balluku nën hetim, SPAK reagon me deklaratë zyrtare!

Belinda Balluku nën hetim, SPAK reagon me deklaratë zyrtare!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zyrtarisht sot, më 31 tetor 2025, akuzën penale ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, në bashkëpunim (nenet 258/2 dhe 25).

Në njoftimin zyrtar, SPAK bën me dije se procedimi penal ndaj Ballukut zhvillohet në kuadër të çështjes nr. 136 të vitit 2025, e cila është bashkuar me procedimet penale nr. 167 dhe 181 të vitit 2024. Hetimet lidhen me shkelje të mundshme në procesin e prokurimit publik për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum–Himarë, që është segment i autostradës SH8 (Vlorë–Sarandë).

Sipas SPAK, procedura e parë e tenderit u zhvillua më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua, ndërsa procedura e re u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18,967,810,952.08 lekësh pa TVSH, që përkthehet në gati 19 miliardë lekë.

Në këtë fazë të hetimit paraprak, faktet penale që SPAK i atribuon Ballukut lidhen me veprimet e saj në cilësinë e ministres përgjegjëse për këtë proces prokurimi, ku dyshohet se janë shkelur parimet e konkurrencës së ndershme dhe barazisë së pjesëmarrësve në tender.

Sipas dokumenteve procedurale, më 21 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme i ka dërguar ministres një njoftim zyrtar me numër protokolli 37398, për t’u paraqitur në ambientet e SPAK-ut dhe për t’u njohur me akuzën. Balluku, pasi mori dijeni për këtë njoftim, ka kërkuar shtyrje të datës së paraqitjes, duke deklaruar se ndodhej në një vizitë zyrtare në Bukuresht.

Më pas, me shkresë tjetër të datës 24 tetor 2025 (nr. 37881), SPAK e ftoi sërish të paraqitej sot, më 31 tetor, në orën 15:00, e shoqëruar nga avokati i saj mbrojtës./L.F-dritare/net