Na ndiqni edhe në

Ekonomi

Tregu i punës ende i brishtë, overdraftet e individëve ngelen poshtë nivelit të para pandemisë!

Tregu i punës ende i brishtë, overdraftet e individëve ngelen

Përdorimi i paradhënieve bankare ose overdrafteve nga individët ende nuk po arrin nivelet e periudhës para pandemisë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në mesin e këtij viti vlera totale e overdrafteve të përdorura nga individët kishte vlerën e 7.43 miliardë lekëve, me një rritje modeste me 0.8% krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me muajin shkurt 2020, para nisjes së pandemisë, vlera e overdrafteve është në rënie me rreth 5.6%.

Paradhënia bankare për individët është zakonisht një produkt i lidhur me llogaritë e pagamarrësve, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore. Rënia e overdrafteve pas shpërthimit të pandemisë mund të interpretohet si pasojë e keqësimit të treguesve të punësimit dhe uljes së shpenzimeve konsumatore.

Pjesërisht, një tendencë e ngjashme po vërehet edhe në segmentin e kredisë konsumatore që jepet për mallra jo të qëndrueshme. Në mesin e këtij viti, vlera e këtij portofoli arriti në 31.7 miliardë lekë, me një rritje të vogël prej 1.3% krahasuar me muajin shkurt 2020. Rritja e kredisë konsumatore ka ardhur pothuajse e gjitha në segmentin e mallrave të qëndrueshëm, të lidhur me investimin në automjete, pajisje elektrike, elektronike, etj. Këta janë tregues të tërthortë të faktit se rimëkëmbja e konsumit në ekonomi ngelet ende e pjesshme.

Megjithëse Prodhimi i Brendshëm Bruto këtë vit i është kthyer rritjes, ndikimin më të madhe ka dhënë rritja e investimeve, ndërsa rritja e konsumit duket ende e zbehtë. Sipas Instat, për tremujorin I 2020, formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me mbi 21%, ndërsa konsumi final i popullatës me vetëm 1.5%.

Në analizën e fundit të muajit gusht, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konstatonte se pavarësisht përmirësimit të ekonomisë reale, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht në tremujorin e parë. Niveli i punësimit vijon të mbetet poshtë atij të regjistruar përpara pandemisë, norma e papunësisë në tremujorin e parë u rrit në 11.9%, ndërsa presionet e tregut për rritjen e pagave janë ende të zbehta. Bazuar në ecurinë historike, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e qëndrueshme e punësimit dhe e pagave do të ndjekë me vonesë kohore zgjerimin e kërkesës për mallra e shërbime. /Monitor