Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

60 arkitektë për Rilindjen Urbane 2.0. Rama: Ja projektet e reja!

60 arkitektë për Rilindjen Urbane 2.0. Rama: Ja projektet e reja!

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një faze të re të rilindjes urbane në vend, të cilën e ka cilësuar si “Rilindja Urbane 2.0”. Në fokus do të jenë shembjet e ndërtimeve pa leje dhe hapja e hapësirave publike në qytetet kryesore të vendit, përmes një operacioni të gjerë dhe të pandalshëm.

Sipas Ramës, është ngritur një grup pune prej 60 arkitektësh lokalë, të ndarë në tetë ekipe, të cilët do të hartojnë projektet e ripërtëritjes për zonat ku do të kryhen ndërhyrjet.

“Paralelisht kemi ngritur një grup prej 60 arkitektësh lokalë, të ndarë në 8 grupe për projektimin e ripërtëritjes së pikave ku do të bëhen prishjet dhe do të lirohen hapësirat,” deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se operacioni do të shtrihet në të gjithë vendin, duke filluar nga Tirana dhe qytetet e mëdha si Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani dhe Korça, ndërsa përmendi Shkodrën dhe Lezhën si raste me më pak problematika, sipas tij, për shkak të rolit të policisë në këto bashki.

“Në vijën bregdetare duhet të ketë një presion të rritur ndaj të gjithë atyre që ndërtojnë pa leje. Do të jetë jo e lehtë, por e pandalshme, konstante dhe do të vazhdojë derisa të mos ketë më tendenca të kundërta,” u shpreh Rama.

Ai tha se ndonëse situata është më e mirë krahasuar me vitet e kaluara, sërish abuzimet janë të shumta dhekërkojnë një ndërhyrje të vendosur.

Kryeministri u ndal edhe te çështja e pronës rreth pallateve të reja, duke sqaruar se kjo hapësirë nuk i përket ndërtuesit, por gjithë banorëve, në përputhje me koeficientin e shfrytëzimit të lejuar nga ligji.

“Nuk ka pronë private rreth e përqark një pallati të ri. Leja e ndërtimit jepet për ndërtim mbi një territor të caktuar, dhe pjesa tjetër është e përbashkët për të gjithë,” sqaroi ai.

Për të shmangur rastet e legalizimeve abuzive, veçanërisht ato në trotuare, Rama paralajmëroi një reformë të re ligjore që mund të përfshijë edhe një akt normativ.

“Për këtë temë po punojmë çdo ditë dhe, për shkak të emergjencës, shumë shpejt mund të sjellim një akt normativ. Ato 83 vota do t’i vëmë në funksion të qytetarëve që duan një Shqipëri evropiane,” përfundoi Rama./L.F-dritare.net