Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama jep ultimatum, nis sot aksioni kundër tregtimit të bulmetit pa faturë!

Rama jep ultimatum, nis sot aksioni kundër tregtimit të bulmetit pa

Nga sot nuk do të lejohet më tregtimi i bulmetit pa faturë tatimore. Tatimet do të zbresin në terren për të verifikuar dokumentacionin e duhur që shoqërohen këto produkte që shiten në treg.

Aksioni vjen pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama tre ditë më parë gjatë takimit me kryetarët e bashkive të vendit në Durrës. Ultimatumi synon gjurmueshmërinë e produkteve për të garantuar sigurinë ushqimore. Kjo masë rrezikon të ketë efekte negative te blektorët dhe prodhuesit e vegjël.

“Duke filluar nga e hëna nuk ka më paralajmërime po vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë”, tha Rama gjatë takimit me kryebashkiakët.

Sipas qeverisë, duke u kryer i gjithë qarkullimi i produkteve me faturë, do të jetë më e lehtë të identifikohen ato subjekte apo fermerë që cenojnë sigurinë ushqimore, pasi fatura zbardh origjinën e produktit. Por ky aksion rrezikon seriozisht blektorët dhe prodhuesit e vegjël për shkaqe që lidhen me probleme fiskale. Ligji i vitit 2019, ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’, i njohur masivisht si ‘fiskalizimi’, i përjashton fermerët nga detyrimi i lëshimit të faturës tatimore kur shesin produktin.

Nga ana tjetër, blerësi, i cili mund të jetë tregtar, baxho, apo grumbulluesi duhet të lëshojë faturë për bujkun në momentin që marrin prodhimin. Me ndryshimet ligjore të ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2018-2019 u vendos që TVSH-ja për bujqësinë të jetë 0%. Në këtë rast grumbulluesit, tregtarët apo kompanitë nuk kanë asnjë interes për të blerë prodhimin vendas, duke lëshuar faturë me TVSh pasi nuk e rimbursojnë dot më atë. Në variantin më të mirë, nëse e blejnë janë të detyruar që 20 përqindëshin ta ngarkojnë mbi çmim, e për pasojë, produkti final për konsumatorët del më i shtrenjtë.

Nga tjetër, ka dhe një realitet që nuk mund të mos merret në konsideratë. Në Tiranë, ku nuk ka fabrikë përpunimi qumështi si në Lushnje apo Berat e Gjirokastër, ky produkt rrezikon të mbetet i pashitur nga blegtorët e vegjël. Zgjidhja për ta në këtë rast do të ishte tërheqja e tyre nga mbarështrimi i bagëtive, duke thelluar një krizë që ka nisur prej disa vitesh. Shqipëria numëron më pak se 1.7 milionë krerë lopë e të imta, nga 2.4 milionë krerë para një dekade.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se prodhimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tjera pësoi rënie vjet, situatë që vijon edhe përgjatë këtij viti. Kjo situatë, së bashku me shtimin e kërkesës së brendshme, ka favorizuar ndjeshëm importet. Shifrat zyrtare tregojnë se në vitet e fundit importi i produkteve të bulmetit dhe të mishit është rritur shpejt. Nga viti 2020 deri në fund të 2024-ës sipas përllogaritjeve janë blerë nga jashtë 300 milionë euro bulmet dhe 383 milionë euro produkte mishi dhe të brendshmet e tij./E.P-dritare.net