Na ndiqni edhe në

Emisionet

Artan Fuga: Letërsia superiore ndaj shkencës!

Artan Fuga: Letërsia superiore ndaj shkencës!

I ftuar në emisionin Dekalog të Roland Qafokut në Dritare Tv akademiku Artan Fuga prezantoi romanin e tij të ri, “Ndëshkimi i dytë i Evës”, duke shpalosur një sërë idesh që sfidojnë narrativat tradicionale fetare, historike dhe shoqërore.
Romani, një vepër voluminoze e ndërtuar pas pesë vitesh studim, ndjek rrugëtimin e një studiuesi të quajtur Adrian Nuri, i cili, duke hetuar mitin e Adamit dhe Evës, zbulon se rrëfimet themelore të njerëzimit janë manipuluar.

Një nga tezat më të fuqishme të Fugës gjatë bisedës ishte pohimi i tij se: Letërsia është superiore ndaj shkencës.
Ai argumentoi se ndryshe nga studimi shkencor, i cili imponon një linjë të ngurtë arsyetimi, letërsia është më demokratike dhe polivalente.

“Në një roman, ti rrëfen një histori dhe historia, personazhet dhe intriga është siç quhet polivalente, që do të thotë secili lexon atë që do. Kjo është mrekulli,” tha Fuga, duke theksuar se letërsia lejon një angazhim multidisiplinar, ku lexuesi mund të gjejë elemente të psikologjisë, ekonomisë dhe filozofisë.

Duke u zhytur në thelbin e romanit, Fuga shpjegoi se libri e riinterpreton rrënjësisht figurën e Evës dhe të gjarpërit. Në vend të figurës së mëkatit, Eva paraqitet si një simbol i kërkimit të dijes, ndërsa gjarpëri shfaqet si një katalizator i kësaj kërkese.

Sipas tij, personazhi kryesor, Adrian Nuri, arrin në përfundimin se versionet e miteve që njohim sot janë rezultat i manipulimeve dhe përkthimeve të gabuara ndër shekuj. Romani përdor mitin biblik si një pasqyrë për të analizuar shoqërinë bashkëkohore shqiptare. Konfliktet arketipale, si ai mes autoritetit dhe individit, gjejnë pasqyrim në dinamikat e përditshme, siç është marrëdhënia tradicionale “nuse-vjehrrë”.

“Vjehrra përfaqëson autoritetin, traditën dhe krijuesin,” shpjegoi Fuga, “ndërsa nusja është Eva aktuale, ajo që ngrihet kundër autoritetit.”

Diskutimi preku gjithashtu tema si erotizmi, seksualiteti dhe trupi njerëzor, ku Fuga theksoi se vepra e tij synon të eksplorojë këto dimensione pa rënë në banalitet, duke u mbështetur në koncepte filozofike dhe teologjike. Në përfundim, Artan Fuga e përshkroi “Ndëshkimin e dytë i Evës” si veprën e tij të dytë “mëkatare” pas romanit “Murgu”./dritare.net