Na ndiqni edhe në

Emisionet

Profesori Artan Fuga: Historia e Adamit dhe Evës është një mashtrim

Profesori Artan Fuga: Historia e Adamit dhe Evës është një

Thelbi i romanit “Ndëshkimi i dytë i Evës” është zbulimi i një të vërtete të fshehur pas miteve themelore të njerëzimit. Artan Fuga në Dekalog, Dritare TV shpjegon se personazhi i tij, Adrian Nuri, nis një hetim mbi rrëfimin e Adamit dhe Evës dhe arrin në përfundimin tronditës se “të gjitha ato që na kanë ardhur ne janë të manipuluara”.

Ky hetim e çon personazhin përtej kufijve të Shqipërisë, në vende reale si Kapela Sikstine në Vatikan, ku ai analizon simbolet dhe historinë për të rindërtuar një version alternativ të ngjarjeve. Fuga thekson se romani nuk ofron një kërkim shkencor, por një “hetim” plot rreziqe, që synon të përmbysë gjërat që i kemi marrë si të mirëqena.

Ideja qendrore është se njerëzit jetojnë të zhytur brenda miteve pa e kuptuar, dhe romani synon të ekspozojë këtë realitet të fshehur.

Duke u nisur nga kopertina e romanit, e cila paraqet një skulpturë në metronë e Parisit, Artan Fuga zbulon shtresat e para të simbolikës së librit të tij. Fotografia, e shkrepur nga vetë autori gjatë pandemisë, tregon një çift modern të ulur pranë një instalacioni artistik që paraqet dy figura njerëzore duke dalë nga një “vezë kozmike”.

Kjo, sipas Fugës, krijon një paralele të fuqishme mes mitit universal të krijimit dhe realitetit bashkëkohor. Ai shpjegon se ideja e lindjes së njerëzimit nga një vezë kozmike gjendet në shumë qytetërime, jo vetëm në rrëfimin biblik. Prania e çiftit modern, ku njëri prej tyre mban maskë, shton një dimension tjetër, duke treguar se si njerëzit e sotëm janë ende të “zhytur brenda rrëfimeve mitologjike” pa qenë të vetëdijshëm.

Kjo ndërthurje mes mitit dhe aktualitetit përbën idenë themelore të romanit./dritare.net