Jeta e një gazetari të kronikës së zezë, mes kërcënimeve dhe dilemave etike! Flet Eni Ferhati
Dritare.net

Të jesh gazetar i kronikës së zezë në Shqipëri është një profesion plot sfida, presione dhe rreziqe. Eni Ferhati, me 15 vite përvojë në këtë fushë, ndau disa nga vështirësitë me të cilat përballet. Ai tregoi se si gazetarët shpesh etiketohen nga zyra politike, duke u quajtur deri edhe 'pjesë e bandës kriminale të SPAK-ut', gjë që krijon një ambient trysnie të vazhdueshme.
Një nga dilemat më të mëdha etike është marrëdhënia me burimet nga bota e krimit. Ferhati shpjegoi se grupet kriminale shpesh tentojnë të joshin gazetarët për të krijuar raporte dhe për të manipuluar informacionin. Sipas tij, ndërsa marrja e versionit të palës së akuzuar është pjesë e punës, vija mes informimit dhe bashkëpunimit është shumë e hollë.
'Që ti të marrësh një lajm nga një grup kriminal pa e verifikuar dhe ta pasqyrosh, është e papranueshme,' tha ai, duke theksuar se detyra kryesore e gazetarit mbetet verifikimi dhe shërbimi ndaj së vërtetës.
Ai pranoi se ka bërë gabime në fillimet e karrierës, si nxjerrja e emrit të një personi pa lidhje, por theksoi rëndësinë e kërkimit të ndjesës dhe të mësuarit nga gabimet./dritare.net
