Një thesar gjuhësor! Akademiku Valter Memisha prezanton Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe
Dritare.net

Në një intervistë për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, akademiku Valter Memisha, zëvendëskryeredaktor i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, prezantoi detaje nga një nga projektet më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare në dekadat e fundit. Ky fjalor përbën një përmirësim të jashtëzakonshëm krahasuar me botimet e mëparshme, duke përfshirë veprat e vitit 1980, 2006 dhe 2020.
Sipas Memishës, fjalori përmban 105.000 fjalë, ndërsa, duke përfshirë edhe njësi frazologjike dhe përbërje të tjera, shkon në 125.000 njësi. “Ky nuk është thjesht një fjalor i zakonshëm. Është një vepër gjigante, e cila dokumenton gjuhën e të gjitha trojeve shqiptare dhe përfaqëson një thesaur të pasur leksikor,” tha akademiku.
Fjalori përfshin 12.500 njësi frazologjike, 1.640 shprehje me origjinë të huaj, si dhe 1.200 akronime të përdorura në media dhe dokumente zyrtare, duke përfshirë edhe termat e fundit si SPAK. Përveç kësaj, janë integruar fjalë të huazuara nga anglishtja dhe gjuhë të tjera, me shqiptimin dhe formën e përpunuar sipas strukturës morfologjike të shqipes.
Vepra përfshin gjithashtu një pasuri të jashtëzakonshme dialektorësh dhe fjalë nga shqiptarët e Kosovës, Arbëreshët dhe Arvanitët, duke e bërë fjalorin një vepër mbarëkombëtare. Stafi i hartimit ka përfshirë mbi 50 specialistë dhe leksikografë të njohur, duke përfshirë akademikë dhe profesorë me përvojë të gjatë.
Valter Memisha e përshkroi këtë fjalor si “vepër e gjithë jetës”, një projekt që ka kushtuar rreth 500–600 milion lekë të vjetra, dhe që do të vazhdojë të rishikohet dhe plotësohet derisa të dalë në formën përfundimtare.
Memisha theksoi gjithashtu rëndësinë e përdorimit të gjuhës shqipe dhe të standardizimit të saj, duke përmendur përballjen e shqipes me gjuhë të tjera dhe kontributin ndërkombëtar të veprave të Ismail Kadaresë, përkthyer në dhjetra gjuhë./K.C/dritare.net