Pse ika nga Shqipëria në 1995-ës! Flet Gentiana Kone, mbesa e kryeministrit Merlika!
Dritare.net
Gentiana Kone, mbesa e Mustafa Merlika-Krujës erdhi sot në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të rrëfyer historinë e jetës së saj. Zonja Kone tregon se si ishte jeta në Shqipëri, në kohën e komunizmit, pasi gjyshi i saj u arratis. Ajo shprehet se kurrë nuk mendoi pse u arratis gjyshi, por që të paktën familja e saj i shpëtoi internimit, por jo largimit nga Shqipëria. Zonja Kone tregon se ishin vështirësitë që e detyruan atë dhe familjen e saj të largohej nga Shqipëria në kohën e ambasadave, pasi nuk besonin te demokracia që erdhi pas rënies së diktaturës.
“Unë punoja si montatore, me një pince të thjeshtë, isha 17-18 vjeçe, kur mbarova Politeknikumin. Prindërit i transferuan në Fushë-Krujë. Kam qenë edhe baskebolliste, e kisha pasion. Kurrë nuk kam menduar pse gjyshi u arratis, mendoja që të paktën shpëtuan. Gjyshi u arratis me forcat e fundit gjermane që kanë ikur nga Shqipëria, në jugosllavi si fillim, pastaj Austri e më tej në SHBA, ku iu dha azili politik. Gjyshi ishte arsimtar, punonte në dhomën e tregtisë, njëkohësisht jepte mësim dhe ishte drejtor. Fakti që ishte kunati i Mustafa Merlikës, ishte jo e sigurt që do të kapej nga regjimi. Nuk është marrë me politikë, ishte shumë i dhënë pas arsimit, letërsisë. Mamaja ime ishte 4 vjeçe kur ai u arratis. E gjithë familja ime ka ikur në kohën e ambasadave. Unë isha e fundit që u largova nga Shqipëria në 1995-ën. Për sa kohë isha në Shqipëri bëra përpjekje të merrja pronat e familjes, ato prona u morën pas 20 vjetësh, por ne i shitëm edhe për shkak të mundësive ekonomike për t’i rikonstruktuar. Por edhe duke mos menduar që do të kthehemi më pas. Familja ime nuk do të kthehet. Ne kemi hedhur një gur pas kur ikëm. Nuk duam as të varrosemi më në Shqipëri. Dhe kjo nuk ka të bëjë me dashurinë për vendin. Unë humba besimin në vendosjen e demokracisë, në atë që unë mendoja për demokracinë. Ligji i pronave, për mua ishte demokraturë, demokraci nën petkun e diktaturës. Unë vazhdova shkollën e lartë në Shqipëri, sepse isha me medalje të artë. Unë jetoja me gjyshen te Ali Demi. Në ‘82-shin më doli shkolla për inxhiniere. Punoja nga ora 6 e mëngjesit deri në 1, pastaj pasditeve isha në fakultet. Ishte shumë e vështirë për mua të krijoja familje.”, tregon Gentiana Kone në DritareTV./L.F/dritare.net