Na ndiqni edhe në

Emisionet

Unë, mbesa e Ermonela Jahos! Flet Pantesilena Jaho!

Unë, mbesa e Ermonela Jahos! Flet Pantesilena Jaho!

Pianistja shqiptare Pantesilena Jaho ishte e ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku, në Dritare TV ku rrëfeu rrugëtimin e saj në muzikë, karrierën në skenat europiane dhe lidhjen me familjen e saj. Në fillim të bisedës, Qafoku e prezantoi si një nga artistet e reja shqiptare që po shkëlqejnë jashtë vendit.

“Kjo është një vajzë shqiptare që po na bën krenarë në skenat e Europës. Quhet Pantesilena Jaho dhe në shumë koncerte e salla të Europës po shkëlqen me pianon e saj,” tha Qafoku.

Pianistja tregoi se aktualisht është e përqendruar në karrierën operistike si pianiste një profesion që e lidh ngushtë me këngëtarët dhe produksionet operistike.

“Jam duke ndjekur pasionin tim. Është një rrugë e vështirë dhe me shumë pengesa, por për aq kohë sa ndjek atë që dua vërtet, gjithçka bëhet më e bukur,” u shpreh ajo.

Sipas saj, puna e një pianisteje operistike është shumë intensive dhe kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm me këngëtarët.

“Punoj shumë me këngëtarët, si shoqëruese apo si vocal coach gjatë provave. Është pikërisht ajo që kam dashur të bëj gjithmonë,” tha Jaho.

Pianistja tregoi se ka dhënë koncerte në disa vende të Europës, përfshirë Spanjën, Francën, Gjermaninë dhe Irlandën.

“Punoj shumë në Spanjë, në Francë, në Gjermani dhe në Irlandë, ku marr pjesë çdo vit në një festival operistik,” u shpreh ajo.

Fillimet me pianon

Pantesilena Jaho tregoi se rrugëtimi i saj në muzikë ka nisur që në fëmijëri.

“Kam nisur leksionet e para të pianos kur kam qenë pesë vjeçe. Në fillim ishte dëshirë e prindërve të mi, por më pas u bë pasioni im,” tha ajo.

Ajo shtoi se prindërit e saj, të dy mjekë, e orientuan drejt artit.

“Besoj që prindërit e mi kanë qenë ndër të paktët që nuk donin që vajza e tyre të bëhej mjeke, por artiste,” u shpreh pianistja me humor.

Studimet dhe karriera jashtë Shqipërisë

Pas përfundimit të Liceut Artistik në Tiranë, Jaho vijoi studimet në Itali.

“Konkurova në konservatorin e Firences dhe studiova atje për katër vite,” tregoi ajo.

Më pas, ajo u zhvendos në Madrid për të përfunduar studimet master dhe për të ndërtuar karrierën e saj në operë.

“Në Madrid u njohja më shumë me botën e operës në mënyrë profesionale dhe aty kuptova se kjo ishte rruga që doja të ndiqja,” tha pianistja.

“Të jesh mbesa e Ermonela Jahos është krenari dhe përgjegjësi”

Gjatë intervistës, ajo foli edhe për lidhjen me sopranon e njohur Ermonela Jaho.

“Ermonela ka qenë një nga arsyet kryesore pse vendosa të vazhdoj në profilin operistik. Ajo është një udhërrëfyese shumë e rëndësishme për mua,” tha Pantesilena.

Megjithatë, ajo pranoi se mbiemri Jaho ka sjellë edhe pritshmëri të larta.

“Ka pasur paragjykim që aftësia ime lidhej vetëm me mbiemrin, por kjo më ka bërë më të fortë,” u shpreh ajo.

Sipas saj, Ermonela Jaho ka qenë gjithmonë shumë kërkuese.

“Kërkesa e saj ndaj meje është edhe më e madhe se sa mund të mendohet. Ajo është shumë e drejtë dhe shumë kërkuese në profesion,” tha pianistja.

Lidhja me familjen

Pianistja tregoi se, pavarësisht jetës jashtë vendit, mbetet shumë e lidhur me familjen.

“Jam shumë e lidhur me familjen time. Flasim çdo ditë në telefon, madje disa herë në ditë,” u shpreh ajo.

Ajo foli me shumë emocion edhe për prindërit e saj dhe mbështetjen që kanë dhënë në karrierën e saj.

“Babai im ka qenë gjithmonë një mbështetje shumë e madhe për mua. Para çdo vendimi të rëndësishëm unë flas me të,” tha Jaho.

Shqipëria në sytë e saj

Pianistja tha se çdo herë që kthehet në Shqipëri përpiqet të shohë anën pozitive të vendit.

“Më pëlqen që Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e njohur për bukuritë e saj dhe për kulturën,” tha ajo.

Megjithatë, sipas saj, shoqëria shqiptare duhet të mbështesë më shumë të rinjtë dhe artin.

“Ne e kemi shumë të lehtë të themi një fjalë negative, ndërsa është shumë e rëndësishme të japim më shumë inkurajim për të rinjtë,” u shpreh pianistja.

Në fund të intervistës, ajo theksoi se arti dhe kultura janë mënyra më e mirë për të prezantuar Shqipërinë në botë.

“Ka shumë gjëra të bukura që vendi ynë mund t’i tregojë botës përmes artit dhe kulturës,” përfundoi pianistja./E.P-dritare.net