
Historia e patreguar, si shqiptarët shpëtuan 30 mijë ushtarë italianë nga kampet naziste
Dritare.net
Ndërsa historia e dekadave të fundit, me emigracionin dhe tranzicionin, ka zënë një vend qendror në narrativën tonë kombëtare, një kapitull i jashtëzakonshëm humanizmi ka mbetur në hije.
Bëhet fjalë për shpëtimin e një numri të pabesueshëm, rreth 25,000 deri në 30,000, ushtarësh italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këta të rinj, të lënë në mëshirë të fatit pas kapitullimit të vendit të tyre, ishin destinuar për kampet e përqendrimit dhe vdekjen nga nazistët, të cilët i trajtuan si hebrenjtë, duke i çuar drejt 'turrave të drujve për t'i djegur'.
Por shqiptarët ndërhynë. Në një akt të pashoq bujarie dhe guximi, familjet shqiptare hapën dyert dhe zemrat, duke i strehuar dhe mbrojtur ata. Ata ndanë varfërinë dhe bukën e pakët, duke rrezikuar gjithçka. Ky nuk ishte një shërbim me pagesë; ishte një manifestim i besës, një kod nderi që e konsideron mikun të shenjtë.
Në një përpjekje për të ndriçuar një kapitull të jashtëzakonshëm dhe pak të treguar të historisë shqiptare, gazetarja Rudina Xhunga ka njoftuar një seri intervistash që kulmon me një dokumentar, i cili do të transmetohen në Dritare Televizion. Ky projekt ambicioz synon të sjellë në vëmendjen e publikut historinë e shpëtimit të rreth 25-30,000 ushtarëve italianë nga familjet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Këtë javë do të vijë intervista ekskluzive me Lia Tosin, një grua jeta e së cilës është e lidhur pazgjidhshmërisht me Shqipërinë. Projekti i Dritare Televizion synon të korrigjojë një boshllëk historik, duke sjellë dëshmi, intervista me historianë dhe rrëfime të dëshmitarëve të fundit.
“Kjo nuk është thjesht një histori e panjohur, por një histori e patreguar fjalë për fjalë, emër për emër,” thekson Rudina Xhunga. “Ne jemi të jashtëzakonshëm. Thjesht na është dukur sikur kjo që kemi bërë është e zakonshme. Por nuk është. Dhe duhet treguar”.
Përmes kësaj nisme, synohet krijimi i një muzeu të kujtesës dhe nderimit të kësaj lidhjeje të veçantë shqiptaro-italiane, duke i treguar botës një faqe të ndritur të historisë sonë, një histori që na bën të gjithëve krenarë.
Ka ardhur koha që kjo histori të mos jetë më e heshtur, por të tregohet përmes librave, filmave dhe dokumentarëve, për të dëshmuar për një humanizëm që nuk njeh kohë./dritare.net

















